Bie vlera e Facebook, oligarku humb 300 milionë USD në 24 orë

Alisher Usmanov
Vlera e rrjetit social Facebook në bursa po bie ndjeshëm dhe ekspertët nuk parashikojnë orë të mira në vazhdim për themeluesit e tij, Mark Zukerberg në Wall Street. Facebook ka humbur 3,20 për qind të vlerës dhe një nga shkaqet e rënies së vlerës së tij është Morgan Stanley, banka amerikane e cila pësoi humbje 2-miliardëshe pak ditë më parë. Dita nuk ka qenë e keqe vetëm për Mark Zukerberg por edhe për oligarkun rus, Alisher Usmanov, i cili humbi nga rënia e aksioneve brenda ditës së martë 300 milionë dollarë. Usmanov, i konsideruar një nga njerëzit më të pasur të Rusisë, sipas klasifikimit të Forbes dhe një nga investitorët e huaj më të fuqishëm, zotëron 5,5 për qind të aksioneve të Facebook, të cilat kontrollohen nëpërmjet Digital Sky. Sipas Forbes, Usmanov ka një pasuri thuajse prej 20 miliardë dollarësh. Njeriu më i pasur i Rusisë e njohu vlerën e Facebook në vitin 2009 kur ai nisi investimet në rrjetin social, duke shijuar fitime prej rreth 1 miliardë dollarësh, shuma që e kanë çuar atë në krye të oligarkëve rusë, të cilët janë pasuruar kryesisht me naftën dhe çelikun. Usmanov e ka nisur karrierën e tij me prodhimin e qeseve plastike dhe u bë i pasur duke u marrë me miniera dhe metale. Pasuria e tij vlen rreth 20 miliardë dollarë, nga 2.6 miliardë dollarësh që e kishte gjashtë vjet më parë, falë investimeve të suksesshme.