E Diel, 1 Nëntor 2026

Bilanci i vitit 2025, Gjykata e Gjirokastrës drejt eliminimit të dosjeve të mbartura

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër ka zhvilluar analizën vjetore të punës për vitin 2025. Në takimin e drejtuar nga kryetarja Entela Selmanaj, ku ishin të pranishëm anëtarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), Gentiana Muçaj, si dhe krerët e institucioneve të drejtësisë e sigurisë në qark, u evidentua një përmirësim i ndjeshëm i treguesve të performancës, pavarësisht ngarkesës së lartë të punës.

Sipas raportit zyrtar të KLGJ-së drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, Gjykata e Gjirokastrës është renditur si gjykata e dytë në rang vendi për sa i përket efikasitetit, duke shënuar një rënie prej -35% në reduktimin e dosjeve të prapambetura, krahas rritjes së normës së përfundimit të çështjeve dhe uljes së kohëzgjatjes së gjykimeve.

Mbi 2 mijë çështje të përfunduara brenda vitit

Pasqyra statistikore e vitit që lamë pas dëshmon volum të lartë dosjesh të trajtuara nga trupa gjyqësore:

Çështje të mbartura nga viti 2024- 1,198 dosje.

Çështje të regjistruara gjatë vitit 2025- 2,132 dosje të reja.

Total çështjesh në shqyrtim- 3,330 (përfshirë penale, kërkesa penale-administrative, civile dhe familjare).

Nga ky volum total, gjatë vitit 2025 ka përfunduar me sukses gjykimi për 2,073 çështje, ndërsa 1,257 të tjera kanë mbetur të papërfunduara dhe janë mbartur për t’u shqyrtuar përgjatë vitit 2026.

Në kategorinë civile dhe familjare, statistikat specifike të vendimeve të dhëna tregojnë:

2,352 çështje- çivile të përgjithshme me palë kundërshtare.

230 çështje- familjare me palë kundërshtare.

71 çështje- civile të përgjithshme pa palë kundërshtare.

13 çështje- Familjare pa palë kundërshtare.

Nga analiza e detajuar e të dhënave, rezulton se ngarkesa më specifike brenda çështjeve familjare me palë kundërshtare ka qenë ajo me objekt “Zgjidhje martese”, me gjithsej 153 çështje divorci nga 230 në total.

Një vëmendje e veçantë gjatë analizës i është kushtuar fenomenit të dhunës në familje. Gjatë vitit 2025, plot 53 shtetas/e kanë kërkuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes. Nga zyra e marrëdhënieve me median pranë kësaj gjykate ngrihet një shqetësim mbi qasjen e viktimave ndaj procesit ligjor:

“Vërehet se viktimat e dhunës në familje, në një numër të konsiderueshëm rastesh, mjaftohen duke kërkuar urdhër mbrojtjeje nga gjykata, por refuzojnë të kërkojnë ndjekjen penale për autorët.”

Kriminaliteti në Gjirokastër dhe aplikimi i dënimeve alternative

Në fushën penale, treguesit flasin për një qark me rrezikshmëri relativisht të ulët kriminalitete. Përgjatë vitit 2025 nuk është dhënë asnjë dënim me burgim të përjetshëm. Dënimi më i aplikuar nga trupa gjyqësore ka qenë ai me burgim deri në 2 vjet. Sipas analizës, kjo përputhet me natyrën e veprave penale më të përhapura në rajon, ku numrin më të madh e mbajnë veprat penale kundër rendit dhe sigurisë publike me gjithsej 227 raste.

Për kategori të caktuara të përfshira në konflikt me ligjin, gjykata ka aplikuar gjerësisht politikën e dënimeve alternative.

“Për autorët e mitur, të sëmurët, të moshuarit, autorët jo përsëritës, autorët femra, si dhe për ato vepra që paraqesin rrezikshmëri konkrete të ulët, janë aplikuar në masë dënimet alternative. Nga këto, masat më të shpeshta kanë qenë pezullimi i ekzekutimit të dënimit dhe vënia në provë, bazuar në nenin 59 të Kodit Penal,” citohet nga raporti i punës.

Fokusi te besimi i publikut dhe bashkëpunimi ndërinstitucional

Pavarësisht ngarkesës, trupa gjyqësore ka konfirmuar angazhimin maksimal për respektimin e afateve procedurale dhe arsyetimin e vendimeve brenda kohës ligjore, me synim rritjen e integritetit dhe besueshmërisë publike te sistemi i ri i drejtësisë. Paralelisht me proceset gjyqësore, është investuar edhe në shpejtësinë e shërbimeve administrative, duke u garantuar qytetarëve akses të vazhdueshëm dhe informim të saktë.

Në mbyllje të analizës, Gjykata e Gjirokastrës vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të suksesshëm me institucionet partnere përgjatë vitit 2025, duke veçuar Prokurorinë pranë kësaj gjykate, Dhomën Vendore të Avokatisë, Drejtorinë Vendore të Policisë dhe Zyrën Postare Gjirokastër.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›