Binjaku Kaczynski: Do të kandidoj për President
Duket se Kaczynski-t nuk heqin dorë kollaj nga presidenca e republikës. Kështu, ndërsa njëri ka vdekur pas aksidentit ajror të dy javëve më parë, vëllai i tij binjak po bëhet gati për t’i zënë vendin, sigurisht nëse do të ketë sukses në zgjedhjet e afërta presidenciale që do të zhvillohen këtë verë. Jaroslav Kaczynski, lideri i opozitës aktuale, shprehet i vendosur për fitoren. Lideri i Partisë Ligj dhe Drejtësi, 60 vjeç, tha se do të vazhdonte misionin e të vëllait dhe për këtë do të kandidonte në zgjedhjet presidenciale. “E mira e Polonisë dhe e mira e përbashkët e do që të dal përtej dhimbjes personale dhe të tentoj për të marrë postin e lënë bosh nga vëllai im, pavarësisht tragjedisë”, ka deklaruar Kaczynski në një deklaratë me shkrim. “Kjo është arsyeja se përse kam vendosur që të kandidoj për postin e Presidentit të Polonisë. Në këtë vendim kam edhe mbështetjen e familjes”. Vëllai i të ndjerit e qeverisi së bashku me të vendin në postin e Kryeministrit në vitet 2006-2007, në një situatë të paprecedentë më parë, kur një vend qeverisej nga dy vëllezër binjakë, që ndërkohë ishin edhe identikë nga pamja e jashtme. Zgjedhjet do të organizohen më 20 qershor, pra në avancë për shkak të humbjes së jetës së Presidentit aktual, për shkak të aksidentit me avion, në të cilin humbën jetën mbi 90 persona, ndër ta edhe bashkëshortja e Presidentit.
Mandati presidencial skadonte normalisht në dhjetor dhe zgjedhjet do të mbaheshin në vjeshtë. Të dy vëllezërit e famshëm kanë qenë anëtarë të opozitës anti-komuniste dhe kanë qenë këshilltarë të lëvizjes “Solidariteti”, ndër të parat në Europën Lindore që i shpalli luftë komunizmit.
Jaroslav Kaczynski nuk është i martuar. Ai, njeriun më të afërt ka mamanë 83-vjeçare dhe mbesën, Marta, vajzën e ish-presidentit. Një tjetër kandidat shumë i fuqishëm presidencial është kryetari i Parlamentit, që aktualisht është Presidenti në detyrë, Bronislav Komorovski. Ai ka shanse për t’i fituar zgjedhjet.
#