E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sezoni me pagesë, çmimi për provim, nga 25 mijë lekë

Universitetet shtetërore “kopjojnë” ato privatet. Veprimet financiare, do kalojnë më parë nga “arka”

Risia e dhënies së provimeve në sezone shtesë është pëlqyer si ide nga pjesa më e madhe e studentëve, ndërkohë që fakultetet janë në procedura e sipër të miratimit të rregulloreve të brendshme. Kjo do të thotë se çdo fakultet do të ketë të përcaktuar me rregullore të gjitha sezonet e provimeve normale, si dhe ato të cilat do të jenë me pagesë. Ndërkohë që nga ana tjetër, në këtë rregullore do të përcaktohet qartë edhe çmimi për çdo provim që duhet të paguajnë studentët të cilët kërkojnë të ripërsëritin lëndën. Metoda dhe praktika e cila njeh kalimin nga “arka” e institucionit, mbylljes së veprimeve të pagesave dhe vazhdimit të procesit mësimor konform kushteve financiare dhe institucionale të parashikuara qartë me rregullore, njihet në universitetet private. Ndërkohë që tashmë, për sa i takon mundësisë së ridhënies së provimeve me pagesë, do të ndodhë e njëjta gjë me studentët. Ata do të marrin informacionin, do të paguajnë kuotën dhe do të japin provimin.

Tarifat

çmimet për secilin provim do të vendosen nga strukturat e fakulteteve për çdo degë. Megjithatë, sipas diskutimeve paraprake mendohet se çmimi dysheme për çdo departament do të nisë nga 2500 lekë të reja. Saktësisht dhe konkretisht për çdo provim do të vendoset nga strukturat vendimmarrëse të secilit fakultet. Koha e sezonit të provimeve me pagesë, mënyra se si do të organizohet ky proces dhe sasia e parave që do të derdhet nga secili student para shlyerjes së provimit, në sezonin me pagesë, do të përcaktohet në çdo rregullore të brendshme të fakultetit.

Universiteti i Tiranës ka miratuar rregulloren e cila i mundëson studentit të drejtën të përsërisë të njëjtin provim deri në tre provime brenda një viti, ose katër për studentët që janë në vit të fundit. Për herë të parë përcaktohet që, përveç tre sezoneve tradicionale, mund të shtohen edhe dy sezone të tjera në prill dhe dhjetor, me propozimin e këshillave studentore, që janë me pagesë. “Studenti ka të drejtë të japë provim në tre sezone të rregullta: sezonin e verës, vjeshtës dhe dimrit. Në raste të veçanta, me kërkesë të këshillit studentor mund të hapen edhe dy sezone (dhjetor dhe prill), për të cilat ata i nënshtrohen tarifave për shërbimin e ofruar”, thuhet në rregulloren e miratuar të UT-së.

Pagesat e cikleve të tjera

Sakaq, tarifat e tjera të cikleve të studimit, siç janë ato part-time apo masterat, sipas Universitetit të Tiranës janë të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Për sistemin part-time, pagesa bëhet sipas krediteve. Konkretisht pagesa ndahet në tre këste, secili përfshin numrin e provimeve që duhet shlyer brenda një viti. Ndërkohë që për sistemin e pasuniversitarëve, për ata që janë në proces të masterit, apo që sapo e kanë nisur, pagesa kryhet në dy këste. Edhe kjo pagesë, tarifa e shkollimit, është menduar të kryhet në bazë të provimeve dhe krediteve të përfshira në çdo semestër të këtij cikli formues.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›