“Binomi Rama-Berisha ka vrarë shpresën e shqiptarëve” -Erjon Murataj: Kryeministri të dialogojë me veten, me shqiptarët e ka mbyllur kapitullin
Aktivisti Erjon Murataj ka deklaruar se kryeministri Edi Rama duhet ta kërkojë dialogun me veten, pasi me qytetarët shqiptarë e ka mbyllur kapitullin.
Ai tha se protestat vijojnë prej 140 ditësh dhe se kërkesa kryesore e protestuesve është dorëheqja e kryeministrit.
Murataj kritikoi gjithashtu dy figurat kryesore të politikës shqiptare, Edi Ramën dhe Sali Berishën, duke i cilësuar si përgjegjës për humbjen e shpresës te qytetarët dhe largimin e të rinjve nga vendi.
“Rama dialogun duhet ta kërkojë me veten, sepse me shqiptarët e ka mbyllur kapitullin. Shqiptarët kanë 140 ditë në protestë dhe ka vetëm një kërkesë, dorëheqjen e Edi Ramës. Sot shqiptarët janë në përballje me policinë kriminale të Ramës dhe jo vetëm. Kanë dalë duke thënë se duan ta rrëzojnë këtë sistem të kalbur. Binomi Rama-Berisha është ai që ka vrarë shpresën e shqiptarëve, ka bërë që të rinjtë e Shqipërisë të largohen dhe ka vështirësuar jetesën e qytetarëve”, tha Murataja.
Sipas tij, “Modeli i Ramës është Zegjineja, modeli i Ramës është deputetja e Vlorës që thotë se euro ka rënë sepse është forcuar leku. Kanë një injorancë të kalcifikuar, ku prevalon dashuria ndaj partisë”.