E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bioetika dhe kriza ekonomike botërore, epiqendrat e ditës politike të Vatikanit

Udhëtimi apostolik në Francë, debati mbi bioetikën dhe mbi krizën aktuale financiare ishin disa nga temat në qendër të audiencës, që Papa Benedikti XVI i rezervoi dje ambasadorit të ri francez pranë Selisë së Shenjtë, Lefevrë dë Labulav. Papa shprehu kënaqësi mbi punën e kryer nga komisioni parlamentar për çështjet që kanë të bëjnë me përfundimin e jetës. Sipas Benediktit XVI, janë arritur përfundime të urta, të cilat lejojnë shumëfishimin e përpjekjeve për t’i shoqëruar të sëmurët në vuajtjet e tyre. E njëjta urti, uron Ati i Shenjtë, duhet treguar edhe në rishikimin e ligjit mbi bioetikën, i cili duhet të njohë karakterin e padhunueshëm të jetës. Duke iu referuar marrëdhënieve ndërmjet Vatikanit e Francës, Papa Racinger përmendi edhe njohjen e diplomave të Universiteteve Papnore e të Instituteve katolike nga ana e shtetit francez, uroi që masat e marra nga qeveria e Parisit për të kapërcyer krizën botërore financiare të favorizojnë mbrojtjen e qytetarëve më të varfër dhe nxiti një rol më të madh të Francës në gjirin e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e konflikteve e arritjen e paqes në botë.

Mbi Sinodin e ipeshvijve për Afrikën/Dy ditë më parë përfundoi në Romë takimi i 18-të i Këshillit të posaçëm të Sekretarisë së përgjithshme të Sinodit të ipeshkvijve per Afrikën, që do të mbahet nga 4 deri më 25 tetor 2009 në Vatikan. Për punimet e Këshillit gjatë viteve të fundit flet, në mikrofonin e Radio Vatikanit, kryeipeshkvi Nikola Eteroviç, sekretar i përgjithshëm i Sinodit të ipeshkvijve, thotë: “Prej ndonjë viti ky Këshill i posaçëm për Afrikën ka për qëllim të përgatisë Asamblenë e posaçme të Sinodit të ipeshkvijve për Kontinentin e, siç dihet, Ati i Shenjtë, gjatë vizitës së tij në Kamerun, në marsin e ardhshëm, do t’i paraqesë kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore të Kontinentit afrikan ‘Instrumentum laboris’ apo vijat orientuese për takimin e madh të Kishës në Afrikë. Pikërisht për ta përgatitur këtë ‘Instrumentum laboris’ të asamblesë së ardhshme sinodale, u mblodh këto ditë në Romë Këshilli i posaçëm për Afrikën. E tani jemi duke e përfunduar punën për hartimin e këtij dokumenti”.

Në vizitë "ad Limina" ipeshkvijtë e Rusisë/Ndër audiencat që impenjuan Papën dje paradite, ishin edhe ato me ipeshkvijtë e Rusisë, të cilët ndodhen për vizitë “ad Limina” në Vatikan deri të enjten. Kryeipeshkvi i Nënës së Zotit në Moskë, imzot Paolo Peci në mikrofonin e Radio Vatikanit, flet mbi situatën aktuale të Kishës katolike në Rusi, duke filluar që nga rilindja e saj, me rënien e diktaturës sovjetike: “Rithemelimi, edhe formal, i bashkësive katolike përreth ipeshkvijve e meshtarëve në famulli: ky më duket se është fenomeni më domethënës e më mallëngjyes. Pas vitesh martirizimi e persekutimi të vërtetë, shihet si rilindin këto bashkësi, me pasion për krishterimin, për Krishtin e prandaj edhe për njeriun, me besnikëri ndaj ipeshkvijve, që në fund të fundit për ta janë krejtësisht të panjohur. Një tjetër etapë e rëndësishme ka qenë hapja e seminarit të Shën Pjetërburgut, i vetmi seminar, që përgatit meshtarë për krejt Rusinë… Në vitin 1997 u miratua një ligj mbi kultet, që në atë kohë u kundërshtua edhe nga Kisha Katolike, pasi ishte tepër i kufizuar”. Lidhur me gjendjen e lirisë fetare në Rusi dhe marrëdhëniet me shtetin, ai thotë: “Kemi të njëjtat vështirësi, që mund të hasen edhe në vende të ndryshme perëndimore. Krishterimi has gjithnjë kundërshtime në këtë botë. Ndërkaq, do të thosha se, megjithëse nuk mungojnë problemet me disa nga autoritetet lokale, marrëdhëniet me shtetin janë të mira. Madje, shteti na ka ndihmuar kur kemi ndeshur vështirësi, sidomos me meshtarët e huaj, që vinin për të shërbyer në Rusi”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›