E Shtunë, 31 Tetor 2026

Larva fatkeqe që po del nga shkrirja e Institutit “Pjetër Bogdani” në Maqedoni

Institutit do t'ia ndërruakan emrin... Nuk u pëlqyeka emri i Pjetër Bogdanit... Instituti bëka marrëveshje me Institutin Albanologjik të Prishtinës dhe me Institutin Albanologjik të Tiranës. Do ta ndihmuakan ata... Në Institut do t’u pranuakan pesëdhjetë veta në punë, thonë një herë. Pastaj, jo pesëdhjetë, por tridhjetë e pesë... Sidoqoftë - shumë... Instituti do të caktuaka drejtorin!... E dini më... Të gjitha këto janë për mashallah dhe për aman-aman! Të gjitha janë një lavër që do të bëhet (kujdes: koha është e ardhme) nëpër re, janë gjetja e ilaçit për vidhat që i ka sosur sëmundja përfundimisht, janë mbjellje e lugëve të çajit, për të korrur dikur (ah, kjo koha e ardhme!) lopata. Marifete... Akrobacione iluzioniste... Për të blerë kohë. Ndërrimi i emrit të Institutit flet për Ata se ende nuk e dinë ku janë. Se mendojnë që janë duke mbajtur mbledhje në han për të bërë një zadrugë. Se nuk i kanë lexuar aktet, elaboratin, programin. Se janë futur me dhunë në ëndrrën e huaj. Se nuk e dinë se emri i Pjetër Bogdanit askund nuk figuron. Se, fundja, edhe po të ishte ky emër, çfarë pengese paraqitka në punë, në arritjen e caqeve? Kurrgjë. Ama bash kurrgjë! Në përmbajtje - jo e! Një cak i politikës ndërkëmbëzore arrihet, sigurisht: demek e heqim emrin e Pjetër Bogdanit, pse s'e dashka ndonjë atje, ku ta di unë... Ia bëjmë qejfin dikujt që gogësin me sy gjysmë të mbyllur nga rehatia pas drekave e darkave!... Kësaj pune i thonë aman-aman!

Pastaj marrëveshjet për bashkëpunim... Nga këto marrëveshje krerët e frontit për mbjelljen e lugëve të çajit (që mendojnë se instituti udhëhiqet me frena kuajsh) presin të vijë një forcë e padukshme e t'i bëjë punët të cilat ata nuk dinë t'i bëjnë vetë. (Natyrisht për vete i duan meritat). Nuk u shkon e as që do t'u shkojë mendja se tjetër është ndihma, tjetër është puna që duhet ta bësh vetë. Nëse e lëmë pas dore punën tonë, obligimin tonë, pra atë magji e cila i jep dritën dhe frymëzimin, po edhe frymën Institutit, dhe presim që "ndihma" t'i bëjë punët tona, atëherë do të mbetemi përjetë të lërojmë retë. Dhe, sa qesharake dhe sa për gjynah janë deklaratat se Instituti i Prishtinës dhe i Tiranës i paskan kryer punët e veta e do të ardhkan këtu që tash e tutje t'i bëjnë punët e zadrugës së këtushme. Kësaj deklarate i thonë mashallah!

Shkojmë më tutje. Pesëdhjetë veta do të punësohen (Gjithmonë në kohën e ardhme). Lere që nuk e kanë dert që deklarojnë se do të pranuakan kaq e kaq veta në punë, një herë kështu e pastaj ashtu, po halli është se ku do t'i gjetkan gjithë këta doktorë apo magjistra (pa le të jenë edhe tridhjetë e pesë)? A në "universitetin" e Vrâjës, të Kurshumlisë apo të Mitrovicës së veriut? Pastaj... Pastaj thonë se do ta zgjedhin (do ta emërojnë, do ta caktojnë, do ta vendosin - kanë plot terma për ta vënë në fron një bajraktar...) drejtorin. Kurse ligji është i pamëshirshëm: drejtorin që duan ata nuk e lejon ligji! Me ligj nuk i plotëson kushtet. Mirëpo Ata thonë: me ligj e pa ligj ne e bëjmë! Epo, e bëjnë, pse jo! Kështu e paska kur funksionon sipas qejfeve shteti i së drejtës. Ndërrojnë emra, prishin themele, bëjnë marrëveshje në hava, zgjedhin e vendosin me ligj e pa ligj, marrin në punë pesëdhjetë titujxhinj inekzistentë! I bëjnë të gjitha Ata! Por... Por Institut s'bëjnë dot!

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›