E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biografia e Enver Hoxhës, një lajm i mirë

Milena HARITO
Jehona e madhe në shtyp më shtyu të zhytesha në leximin e librit të fundit të Blendi Fevziut, ndonëse mendoja që shumë gjëra ishin të ditura. Vërtet egërsia dhe poshtërimet e frymëzuara nga Hoxha dhe të mirë-aplikuara me zell në shkallët e nomenklaturës nga një pjesë e ofiqarëve të regjimit janë të njohura për të gjithë ata që lindën para vitit 1980 Por, çuditërisht, emocioni ishte ende shumë pranë dhe efekti i parë i biografisë së Enver Hoxhës qe… pagjumësia, njëfarësoj si në një roman policor. Në çdo kapitull, pa dashje, shpresoja deri në çastin e fundit që Hoxha nuk do ta çonte të keqen deri në fund por tmerri ndodhte sistematikisht.
Polemikat sterile të ditëve të fundit mbi dokumentet arkivore nuk i ndryshojnë dot faktet. Bashkëpunëtorët dhe të afërmit e vrarë, të burgosur, të internuar, të trajtuar çnjerëzisht janë të gjithë njerëz që kanë ekzistuar. Por, nevoja jetike e Enver Hoxhës për pushtetin dhe përçudnimi i tij psikopatologjik individual nuk mund të jenë alfa dhe omega e historisë sonë të përbashkët.
Thënia, shkrimi, dokumentimi i fakteve mbi  historinë e diktaturës më duken të domosdoshme ende sot. Po përse?
Jam e bindur që secilit nga ne i ka qëlluar të bisedojë me njerëz të mençur, që e kanë jetuar diktaturën, por që janë, sidoqoftë, në gjendje sot e kësaj dite të futen në biseda boshe të llojit çtë keqe pamë nga diktatura?, ose shikoni gjërat e mira që u bënë, ose të gjitha regjimet shtypin disa njerëz. Pa përmendur ata që për arsye personale të shumëllojshme mbrojnë aspekte të regjimit të terrorit të instaluar nga Enver Hoxha. Nëse çështja do të mbetej në rang bisedash ose qoftë edhe në artikuj gazetash, do të ishte pa zarar. Por, këndvështrimi mbi diktaturën më duket se dominon ende sot, të paktën pjesërisht,  orientimet politike.
Diktatura përdoret ende nga njëra palë si gogol  (gogol dhe jo google), ndërkohë që pala tjetër mbart ndjesinë e fajit të trashëguar prej saj. Debati politik publik, pjesërisht ende bëhet ndërmjet atyre që me ose pa arsye ndihen trashëgimtarë dhe atyre që me ose pa arsye ndihen kundër diktaturës. Me arsye, do kisha tendencë të mendoja unë, të gjithë duhet të ishim qartësisht  kundër. Por ja që nuk është kaq e thjeshtë.
Nga njëra anë, të gjithë ata që punuan e jetuan në diktaturë nuk janë bashkëpunëtorë, siç dëgjohet herë pas here në mjediset e mirinformuara. Shumë prej nesh ishin kundër, disa që në vitin 1945, shumë e shumë të tjerë rrugës. A kishim mundësi të shpreheshim kundër? Unë nuk e besoj. Mendoj, përkundrazi, se bëmë mirë që zgjodhëm të mbijetojmë dhe u adaptuam. Nga ana tjetër, një pjesë e atyre që ndihen trashëgimtarë shpesh ndihen të tillë më tepër për arsye përkatësie dhe identiteti, sesa për arsye të vërteta bashkëpunimi. Këtu ngatërrohet keq situata sepse ndjesia e përkatësisë është sa jetike, aq dhe irracionale.
Këndvështrimi ndaj diktaturës si përkatësi identitare mbetet ende vijë demarkacioni për ti dhënë votën njërës palë apo tjetrës, duke iu mbivendosur interesave ekonomike që janë, pa dyshim, një element tjetër fort me peshë në këtë vendimmarrje.
Por, emocioni që shkakton libri smund të jetë i lidhur vetëm me të kaluarën. Ai është aktual sepse na kujton që fatkeqësisht në mënyrë kolektive të gjithë e pranuam diktaturën. Shumëkush harroi njerëzillëkun dhe gëzonte e abuzonte me pushtetin e vet sado të vockël në një kulturë raporti forcash që mbetet e njëjta sot e gjithë ditën. Kushdo që e sheh veten nga ana sociale ose hierarkike mbi të tjerët, ndihet ende i detyruar të shtypë në një formë ose në një tjetër ata që ka nën vete. Ndaj diktatura është ende brenda nesh sa herë që pranojmë kompromiset e vogla, korrupsionin e vogël,  heshtjet fajtore dhe duartrokitjet hipokrite, keqtrajtimin e kolegëve. Roli i elitave në këtë çështje meriton një artikull më vete.
Shpresoj që suksesi në publik i librit të Blendi Fevziut të jetë një hap sado i vogël drejt një vështrimi më racional dhe gjakftohtë mbi regjimin e Enver Hoxhës. Në mënyrë që kur të gjykojmë mbi të ardhmen, të na peshojë më pak e kaluara, të kemi pak më tepër liri. Në këtë sens më duket një lajm i mirë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›