E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriteri për rinisjen e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës

02-12-2011 / Nga Alexander Borg Olivier

Një vëmendje e madhe i është dhënë rinisjes së dialogut të ndërprerë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës derisa po afrohet Samiti i Bashkimit Evropian, në të cilin mund të diskutohet statusi i kandidatit të Serbisë. Rifillimi i dialogut duhet të jetë një objektiv i dëshiruar, që nuk është as kundërthënës e as kontestues. Dialog po, por ama vetëm nëse bazohet mbi çështje për të cilat ka pajtim të plotë nga të dyja palët: që do të përmirësonte eventualisht jetën e qytetarëve të Kosovës – nga të gjitha bashkësitë, të cilat do të mbështesin fqinjësinë e mirë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të mirën e popullit në të dyja vendet dhe për rajonin si tërësi; që do të rezultonte me marrëveshje dhe aranzhime që janë të pranueshme dhe dobiprurëse për të dyja palët, ku palët përfaqësohen në mënyrë të barabartë. Kosova nuk përfiton asgjë duke marrë pjesë në një dialog të njëanshëm, që nuk është me kujdes i strukturuar dhe që duket se qëllim kryesor ka avancimin e kërkesës së Serbisë për marrjen e statusit të kandidates së Bashkimit Evropian. Është pranuar gjerësisht se Kosova nuk duhet ta pengojë përpjekjen e Serbisë për marrjen e këtij statusi. Njëkohësisht, autoritetet e Kosovës duhet të jenë të drejta dhe të kujdesshme të sigurojnë se nëpërmjet pakujdesisë së tyre naive të lejojnë që Serbia të marrë atë që kërkon bazuar në zotime të parealizueshme dhe të diskutueshme, duke humbur një mundësi të artë për të siguruar përfitime të rëndësishme për Kosovën në këtë proces.
Nëse Serbia e fiton statusin e kandidates bazuar vetëm në rifillimin e dialogut që nuk ka përfitime për Kosovën dhe që dështon të adresojë me efikasitet problemet në veri të Kosovës, atëherë Kosova duhet ta kuptojë se konsolidimi i sovranitetit do të jetë i ndikuar për keq në një të ardhme të afërt, pa i mbetur asnjë levë për bërjen e presionit Serbisë për të bërë koncesione të rëndësisë së veçantë për Kosovën. Me pak fjalë, Serbia do të shënojë avantazhe të mëdha politike dhe do të marrë krejt çfarë i duhet nga Brukseli, ndërkaq Kosova do të mbetet shumë prapa me të gjitha problemet ekzistuese me pak mundësi për të zgjidhur, dhe kështu kontribuon në skenarët e konfliktit të ngrirë në zonën e Kosovës de fakto të kontrolluar nga serbët në veri të vendit. Kosova duhet të jetë e kujdesshme dhe me mbështetje të miqve të saj në Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve që e kanë njohur Kosovën si një shtet sovran, duhet të këmbëngulë fort në një zgjidhje të baraspeshuar dhe të avancuar të çështjeve që kanë të bëjnë me Kosovën dhe Serbinë, e që do të kontribuonin në stabilitetin dhe paqen afatgjate në Kosovë dhe rajon. Referencat e shpeshta ndaj zgjidhjeve të statusit neutral nuk janë të dobishme dhe duhet të ndalen. Ka një realitet që është Kosova sovrane dhe e pavarur. Serbia nuk mund të refuzojë ta pranojë këtë realitet, e njëkohësisht të përfitojë kohë për të marrë të gjitha përfitimet themelore që i janë ofruar me Planin Ahtisaari – dhe më shumë. Ekspertë të dijshëm e pranojnë se çështjet e kontestuara në veri të Kosovës janë në mënyrë të drejtpërdrejtë të lidhura me sovranitetin e Kosovës – gjykatat, kontrolli i doganave dhe mbledhje e taksave, kontrolli i kufijve dhe menaxhimi, e të tjera, dhe sa më shpejt që kjo pranohet nga Serbia dhe Brukseli, dhe reflektohet në marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do të jemi më afër një zgjidhjeje të çështjeve të kontestuara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për të mirën e popujve të të dyja vendeve, për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe për bashkësinë ndërkombëtare si një tërësi. Serbia duket se ka nevojë dhe e do statusin e kandidates së BE-së sa më shpejt që është e mundshme. Natyrisht nuk do të ishte e arsyeshme që BE-ja ta kushtëzonte këtë me normalizim të plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por ky është momenti i duhur për ta bindur Serbinë të pranojë realitetet. Mund të gjinden mënyra kreative për të zhvilluar rezervat e duhura politike që i duhen Serbisë në nivel bilateral dhe ndërkombëtar. Serbia mund të vazhdojë të mos e njohë shtetin e Kosovës në këto nivele, por në nivel ndërkombëtar nuk mund të vazhdojë me bllokimin e procesit të Kosovës në anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe ndërqeveritare, që është thjesht destruktive për zhvillimin e marrëdhënieve ndërkombëtare, pa promovuar përfitime dhe avantazhe për Serbinë. Zgjidhja e vështirësive në veri të Kosovës do të jetë një rrugë e gjatë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Çelësi për këtë është në Beograd: shpërbërja e strukturave paralele serbe, demarkacioni i zonave kufitare dhe menaxhimi i tyre, bashkëpunimi me autoritetet në Prishtinë për të lejuar integrimin e zonave në veri në strukturat e Qeverisë së Kosovës dhe krijimi i një kornize të përgjithshme. Plani i Ahtisaarit promovon të gjitha kushtet dhe garancitë për bashkësinë serbe në Kosovë dhe kjo do të mund të fuqizohej edhe më tepër me aranzhime kreative ndërkombëtare dhe garantues të pranueshëm për të dyja palët. Statusi i Kosovës është zgjidhur dhe kjo është legjitimuar me autoritet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Opinionin e saj Këshillues për Deklaratën e Pavarësisë dhe nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe nga njohja e shtetit të Kosovës nga 22 prej 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Ky numër do të vazhdojë të rritet dhe shumë shpejt do ta kalojë nivelin prej 100, në të cilën fazë do të bëhej një shumicë absolute e botës që njohin pavarësinë e Kosovës, duke lënë shumë pak hapësirë për kontestim të këtij legjitimiteti të këtij realiteti. Rruga e qëndrueshme për të vazhduar përpara është shtruar dhe përpjekjet për shtyrje të mëtejshme janë të kota. Dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit duhet të përdoret me mençuri dhe produktivitet nga të gjithë ata që kanë ndikim në Kosovë dhe në Serbi për arritjen e zgjidhjeve jetëgjata të të gjitha problemeve ekzistuese që për kohë kaq të gjatë dhe të panevojshme po pengojnë procesin e të dyja shteteve.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›