Bisedime të reja me Iranin në Moskë

Një raund i ri bisedimesh për programin bërthamor të Iranit do të mbahet në Moskë në muajin qershor, lajmëruan burimet zyrtare, pasi dita e dytë e takimeve në Bagdad midis Teheranit dhe gjashtë superfuqive nuk arriti të prodhonte një kompromis.
Shefja e diplomacisë europiane, baronesha Catherine Ashton, deklaroi se mbeten ende “disa divergjenca të rëndësishme”, ndonëse shtoi se “janë bërë disa hapa të rëndësishme përpara dhe janë vendosur piketat për negociatat e ardhshme”.
Për 48 orë, pesë fuqitë me të drejtë veto në OKB, SHBA, Rusi, Kinë, Francë dhe Britani, plus Gjermania, negociuan me Iranin duke i ofruar asistencë në programin bërthamor civil, nëse heq dorë nga pasurimi i uraniumit, lëndë që përdoret për të furnizuar armët e shkatërrimit në masë.
Nga ana e tij, Teherani paraqiti një kundërpropozim prej pesë pikash, ndërsa riktheksoi se programi i tij i deritanishëm, përfshi procesi i pasurimit në reaktorë është në përputhje me parimin e sovranitetit kombëtar. Një takim i ri do të mbahet në Moskë në datat 18-19 qershor.