Bisedimet, Prishtina hedh sërish poshtë planin 6-pikësh për Eulex
Prishtinë-Përmes një platforme katërpikëshe, Prishtina zyrtare sërish ka kundërshtuar planin gjashtëpikësh dhe ka shprehur angazhimin e plotë për vendosjen sa më të shpejtë të Eulex-it në tërë territorin e Kosovës. Ndersa eshte zotuar per bashkëpunim te ngushtë per këtë mision me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian.
Pas takimit me zv. ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Daniel Fried, autoritet kosovare janë shprehur të vendosur për të mos pranuar ndryshimet në funksionin e Eulex në Kosovë. Nga ana e tij fried është shprehur se “SHBA-të e mbështesin vendosjen e Eulexs-it në tërë territorin e Kosovës, ndërkaq ka theksuar se plani gjashtëpikësh nuk është i përhershëm dhe për të dalë nga situata e krijuar duhet që diplomatët të gjejnë një rrugë për të ecur përpara. Kjo kërkesë e tij nuk është pranuar. Krerët e shtetit të Kosovës, Presidenti Sejdiu dhe Kryeministri thaçi kanë formuluar qendrimin zyrtar “Eulex në Kosovë vetëm sipas Planit Ahtisari.
Sipas Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi misioni Euleks do të jetë i pranueshëm në Kosovë vetëm në pajtim me planin e Ahtisarit. “Dokumenti gjashtëpikësh për vendosjen e Euleksit është i papranueshëm për Kosovën”, tha ai.
Thaçi ka deklaruar se “problemi qëndron në Beograd” pasi sipas tij, “Beogradi duhet të kuptojë se Kosova është shtet i pavarur e demokratik”. "Beogradi nuk ka ingerenca në Kosovë, dhe këto tendenca të Beogradit duhet të harrohen njëherë e përgjithmonë”, theksoi kryeministri Thaçi. Ai po ashtu ka premtuar se në Kosovë nuk do të ketë struktura ilegale dhe jolegjitime, dhe nuk do të ketë struktura paralele në drejtësi, polici, dogana dhe sektorë të tjerë. “Ne do të funksionojmë si shtet stabil, unik, me sistem funksional për të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi kryeministri kosovar.
Sipas tij, EULEX-i ka mandat të plotë dhe përkrahjen e plotë të të gjithë mekanizmave ndërkombëtarë dhe është pritur mirë nga ana e Prishtinës.
“Kemi bashkëpunim të ngushtë, mirëpo nuk do të pranojmë kushte të reja për vendosjen e EULEX-it. EULEX-i ka mandat të plotë, dhe këtë mandat ne e mbështesim në tërësi. Ne jemi partner”, ka theksuar kryeministri Thaçi.