Bisedimet Prishtinë-Beograd, 6 marrëveshje në korrik

Prishtina dhe Beogradi kanë bërë hapa të rëndësishëm drejt nënshkrimit të marrëveshjeve të para mes dy vendeve.
Kështu është shprehur shefja e delegacionit kosovar në dialogun teknik me Serbinë Edita Tahiri në një prononcim për gazetën kosovare Express.
Sipas saj gjithçka mund të finalizohet më 2 korrik, në raundin e radhës të dialogut, ndërsa ka shpalosur detaje të pakos që përfshin gjashtë marrëveshje, të cilat janë formuluar nga ndërmjetësi i BE-së, Robert Cooper.
Kjo marrëveshje u është bërë e ditur palëve më 6 qershor, ndërsa tani ekipet e ekspertëve po bëjnë finalizimin e detajeve.
“Mendimi im është se janë afruar shumë pikëpamjet. Gjithashtu, pala jonë tashmë ka dhënë pëlqimin në parim për propozimet që i ka paraqitur më 6 qershor ndërmjetësi Robert Cooper. Ne mendojmë se ato propozime janë mjaft të mira dhe japin zgjidhje të mirë për çështjen e lëvizjes së lirë të qytetarëve”, ka thënë Tahiri, për Express.
Për Shefen e delegacionit kosovar, marrëveshjet e propozuara më 6 qershor nga zoti Cooper, përfshijnë idetë e të dyja palëve dhe idetë europiane.