E Diel, 1 Nëntor 2026

Biserko: Serbia ta pranojë realitetin në Kosovë

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut, Sonja Biserko ka akuzuar pushtetin aktual në Serbi se po vazhdon të refuzojë ballafaqimin me të kaluarën dhe të pranojë realitetin e ri në Kosovë.

Biserko ka thënë se pushteti i ri në Serbi po ndjek një politikë revanshiste dhe po pamundëson ballafaqimin me të kaluarën, respektivisht me krimet e kryera në emër të popullit serb në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

"Kemi një amnezi të organizuar dhe falsifikim të fakteve historike të së kaluarës së afërt", ka thënë Biserko në një tryezë të organizuar në Beograd, transmeton Beta.

Ajo ka thënë se për shkak të sistemit të keq arsimor në Serbi, të rinjtë nuk dinë pothuajse asgjë për luftërat e viteve 90 në hapësirat e ish-Jugosllavisë ”dhe tash kemi një situatë kur qëndrimet e tyre janë shumë konservative dhe negative karshi popujve të tjerë, sidomos ndaj kroatëve, shqiptarëve dhe boshnjakëve.

Biserko tha se Serbia “ende po lufton me demonët e së kaluarës” dhe se në skenën politike po kthehen aktorët nga kohërat e luftërave, transmeton telegrafi.

"Serbia ende refuzon të pranojë realitetin e krijuar në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë”, tha Biserko, duke tërhequr vërejtjen se me vështirësi po shkohet përpara në ballafaqim me vetëpërgjegjësinë për luftërat e shkaktuara në hapësirat e ish-Jugosllavisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›