E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspozitë me vepra të arteve pamore

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, në vazhdën e aktiviteteve për shënimin e 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ka organizuar ekspozitën me vepra të arteve pamore të autorëve shqiptarë. Në këtë ekspozitë janë ekspozuar 21 punime artistike, si, piktura, grafika, skulptura me teknika, forma dhe ngjyrime nga më të ndryshme stilistike shprehëse.

Zeqirja Ballata, me këtë rast ka thënë se këto punime nuk karakterizohen vetëm për nga forma, shprehja, përkatësisht gjuha e mëvetësishme dhe bashkëkohore, por sipas tij, në to shpërfaqen nuanca të qenies sonë kombëtare nga motet e shkuara përplot qëndresë, por edhe shpresë dhe drejt një të ardhme të përbashkët dinjitoze të kombit tonë paqedashës.

“Është e kuptueshme që jo rrallë në punimet artistike të piktorëve, skulptorëve dhe grafistëve tanë të jenë të pranishme jo pak elemente, substancash të qenies sonë jetike, qoftë edhe nëpërmjet edhe titujve, siç janë, para kullës, vatra, guri i fitores, trungu i ndarë, medaljoni i pavarësisë, sofra, qëndresa shekullore, kështjella e Agronit”, ka thënë ai.

Kryetari i AShAK-ut, Hivzi Islami, ka thënë se me këtë ekspozitë, akademia po përmbyllë suksesshëm aktivitetin për nderë të njëqind vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, duke iu kundërpërgjigjur kritikëve të cilët deklarojnë se akademia nuk po bënë aq sa duhet për shënimin e kësaj date.

Islami, po ashtu ka bërë të ditur se ka qenë kërkesë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, që të gjitha këto aktivitete të mbahen nën patronatin e presidentes, Atifete Jahjaga, por, sipas tij, nga kjo e fundit nuk ka pasur një gatishmëri për bashkëpunim.

“Ne kemi pas dëshirë që patronazhin t’ia japim presidentes së Kosovës dhe ia ofruam, por nuk pati gatishmërinë që ta marrë. Tani këtë fushatën e egër që po zhvillohet kundër akademisë kemi vlerësime edhe në këto pika që akademia nuk ka bërë gjë në shënimin e njëqindvjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Ne nuk po lëvdohemi që vetëm ne kemi bërë, por e vetme është akademia që me një koncept dhe një program të qartë ka shënuar këtë përvjetor”, ka thënë ai.

Në këtë ekspozitë ishin të pranishëm akademikë, artistë, skulptorë dhe qytetarë, të cilët patën rastin të shohin më për së afërmi krijimet e artistëve shqiptarë në etapa të ndryshme kohore./kosovapress/

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›