E Enjte, 5 Nëntor 2026

Bizneset dhe integrimi, e njëjta situatë

Debati për “Ballkanin e hapur” apo edhe procesi i integrimit europian të Shqipërisë vijojnë të mos përfillen nga sipërmarrja shqiptare. Studimet më të fundit tregojnë se bizneset vendase nuk bëjnë pothuajse asgjë për t’u përballur tani dhe më tej me presionin që vjen nga konkurrenca e prodhimeve rajonale apo europiane. Mes 188 kompanive të pyetura nga një studim i Qendrës Shqiptare për Tregti Ndërkombëtare, vetëm 24 për qind e tyre planifikojnë se do të duhet rritje e cilësisë së prodhimeve dhe shërbimeve që ofrojnë aktualisht. Tre të katërtat as që e shikojnë këtë kosto të integrimit.

Sikurse shihet në grafikun e këtij studimi, turizmi mbetet sektori që pretendon të përfitojë më shumë nga hapja e tregjeve. Ndërsa prodhimi industrial rënditet  i treti. Rritjen në tregun rajonal dhe europian e ndjejnë një e treta e kompanive të pyetura, ose 31 për qind e tyre.

Sipas studimit, kompanitë shqiptare kanë një nivel të ulët informacioni të përgjithshëm në lidhje me kuadrin institucional të BE-së dhe funksionimin e tij. Bizneset e lidhin BE-në dhe objektivat e saj, kryesisht me ekonominë dhe tregun e vetëm, megjithëse informacioni për këtë të fundit është shumë i ulët.

Kur bëhet fjalë për kostot dhe përfitimet nga procesi i anëtarësimit në BE, kompanitë kanë një nivel mesatar informacioni, megjithatë, njohuritë e tyre për kostot e mundshme janë mjaft të ulëta. Kjo ka shkaktuar konfuzion dhe pasiguri tek ta, sa i përket të ardhmes dhe gatishmërisë së tyre.

Pengesat e brendshme kryesore që kompanitë parashikojnë në proces janë burimet njerëzore dhe kapacitetet financiare. Ndërsa si sfida të përgjithshme që vijnë nga institucionet publike, ato konsiderojnë si probleme kryesore mungesën e mbështetjes dhe paqëndrueshmërinë e politikave.

Të pyetur për përballimin e kostove të integrimit shumica e kompanive shqiptare ose 62 për qind e tyre thonë se nuk e dinë apo nuk do të munden të përballojnë konkurrencën e produkteve europiane, por janë optimistë në 45 për qind të tyre se përfitimet afatgjata do t’i tejkalojnë kostot e këtij procesi.

Në ndryshim nga politika që ka një debat të hapur për integrimin rajonal e më pas edhe atë europian, bizneset dominojnë në opinionin e tyre se hapja e ekonomisë do t’i favorizojë në rritjen e tyre të biznesit. Ajo që duket se mungon është përgatitja për t’u përballur me këtë presion të konkurrencës dhe pra edhe të çilëve dhe produkteve që vijnë nga jashtë vendit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›