E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Bizneset dyfishojnë investimet në blerjen e tokave gjatë vitit 2021

Sipas të dhënave në INSTAT në Anketën Strukturore të Ndërmarrjeve,  në vitin 2021 bizneset në të gjithë vendin investuan në blerjen e tokave.

Shuma e shpenzuar është rreth 20 miliardë lekë (172 milionë euro), nga 9.3 miliardë lekë që ishin në vitin 2020 me një rritje 116%.

Shumat që bizneset investuan në toka ishin gati dyfishi i mesatares sipas viteve nga 2010 me 2020.

Pas krizës financiare të vitit 2008 që u pasua edhe një krizë në tregun e pasurive të paluajtshme, bizneset i ulën ndjeshëm investimet në blerjen e tokave. 

Në vitin 2010 investimet e bizneseve në këtë zë ishin 1,3 miliardë lekë rreth 10 milionë euro.

Specialistët thonë se tregu i tokës në vendin është i deformuar për shkak të mungesës së planeve rregulluese. 

Ideja se po pate tokë bujqësore mund të ndërtosh edhe shtëpi e ka rritur çmimin e tokës bujqësore në tregun e lirë edhe në nivelet më të larta në shkallë europiane.

Ndërsa kompensimi i tokës për interes publik është me çmime të papërfillshme në krahasim më vendet e tjera. 

Investimet në toka po nxiten edhe nga orientimi i modelit ekonomik drejt ndërtimit. Rritja e numrit të lejeve të ndërtimit vitet e fundit dhe rritja e çmimeve të banesave po orienton investimet drejt sektorit të ndërtimit. 

Shumë biznese po çojnë fondet e lira në blerjen e tokave, të cilat më pas i kanë si mjet qiradhënie kundrejt investimeve për energji të rinovueshme (parqe diellore) apo sera.

Sipas agjentëve të pasurive të paluajtshme, tregu i tokave në Shqipëri vuan nga çështjet ligjore, fragmentarizimi, bashkëpronësia.

/ rtsh.al /

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›