Bizneset e reja, shqiptarët investojnë në bar-kafe dhe hotele
Hotelet dhe restorantet zënë më shumë së gjysmën e bizneseve, por kanë shumë pak të punësuar
Restorantet dhe hotelet konsiderohen nga shqiptarët si bizneset më fitimprurëse. Të dhënat zyrtare nga INSTAT tregojnë se numri më i madh i bizneseve të ngritura në vendin tonë (edhe ato të reja) janë fokusuar në këto dy drejtime (hotele dhe bar-restorante).
INSTAT
Ndërmarrjet me aktivitet tregtar dhe hotele, bar-kafe e restorant zunë 59.6 për qind, të totalit të regjistruar. Sipas këtyre të dhënave në fund të vitit 2012, ishin aktive 106,837 ndërmarrje dhe gjysma e tyre janë përqendruar në qarqet Tiranë e Durrës. Aktiviteti tregtar vazhdon të jetë më i preferuari në vendimmarrjen për një aktivitet të ri dhe përfaqëson 40.9 për qind të ndërmarrjeve. Vetëm 15.6 për qind mbulojnë në numër prodhuesit e të mirave (bujqësia dhe peshkimi, industria dhe ndërtimi, por ato punësojnë rreth 26.3 për qind të të punësuarve të ndërmarrjeve.
Punësimet
Mbizotërimi i prodhuesve të shërbimeve (tregti, hoteleri, kafe, transport) është një dukuri në të gjitha qarqet, dhe luhatet nga 80 deri në 87 për qind në qarkun e Tiranës. Numri i të punësuarve në këto ndërmarrje nuk është shumë i madh, ai varion në rreth 90.2 përqind të ndërmarrjeve me 1-4 të punësuar. Pjesa më e madhe, 67 përqind, janë me vetëm 1 të vetëpunësuar.
Ndërmarrjet e reja
Ndërmarrjet e mëdha, me 50 e më shumë të punësuar, përfaqësojnë në numër më pak se 1 përqind, por kontributi i tyre në punësim në ndërmarrjet jo bujqësore është shumë i ndjeshëm, 38.8 përqind. Vitin e kaluar numri i ndërmarrje të reja u rrit me 12.2 %, ku regjistruan 12,828 ndërmarrje të reja. Qarku i Shkodrës ka pasur shkallën më të lartë, 14.1 për qind, kurse qarku Dibrës më të ultën, 6.9 për qind. Ndërkohë 68.6 për qind e ndërmarrjeve të reja ushtrojnë aktivitetin e tyre në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier.
Pronarët
Afro 33.5 për qind e aktivitetit tregtar e shërbimeve të tjera kryesisht arsim, shëndetësi menaxhohen nga femrat. Kryesisht në qarkun e Tiranës 30.2 për qind e ndërmarrjeve menaxhohen nga femrat, ndërsa përqindja më e ulët është në qarkun e Kukësit, 14.2. Vitet e fundit është rritur ndjeshëm numri i bizneseve që drejtohen nga femrat, edhe pse meshkujt vazhdojnë të mbizotërojnë në menaxhimin e tyre.
106
mijë ndërmarrje me aktivitet tregtar në hoteleri dhe bar-restorante figurojnë të regjistruara sipas të dhënave të vitit 2012
68
për qind e ndërmarrjeve të reja ushtrojnë aktivitetin e tyre në qarqet Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier
33
për qind e aktivitetit tregtar të shërbimeve të tjera kryesisht në arsim dhe shëndetësi menaxhohen nga femrat
90
për qind e bizneseve të llojit bar-kafe dhe hotele nuk kanë më shumë se 4 të punësuar, madje 67 % e tyre kanë vetëm 1 person të punësuar nga jashtë familjes