E Diel, 1 Nëntor 2026

Ja si do jetë qeveria e re Rama-Meta

Ministritë që kërkon të marrë Meta, postet që do marrin Dule, Milo dhe Gjinushi. Rama kryeministër, Meta kryetar Kuvendi, ja si do të ndahet torta e qeverisë

meta-ramaEdi Rama dhe Ilir Meta kanë hedhur dje themelet e qeverisë së re. Emrat e të cilës do të diskutohen në ditët në vijim, por që pjesa kryesore është ndërtuar dje. Kështu pas një takimi që zgjati dy orë e 30 minuta, është vendosur që Edi Rama të jetë kryeministër, ndërsa Ilir Meta kryetar i Parlamentit. Njoftimi është bërë publik zyrtarisht nga vetë zyra e shtypit e PS-së.
Takimi
Sipas njoftimit theksohej se dy kryetarët e PS-LSI, Edi Rama dhe Ilir Meta, u takuan për rreth 2 orë e 30 minuta në mjediset e Hotel Sheraton për të vendosur piketat e planit të tranzicionit deri në hapjen e legjislaturës së re. U ra dakord që në funksion të një ndarjeje të përgjegjësive për të përmbushur me sukses detyrimet që burojnë prej votës plebishitare të 23 qershorit për Aleancën për Shqipërinë Europiane, kryetari i PS Edi Rama do të drejtojë qeverinë e re, ndërsa kryetari i LSI Ilir Meta do të drejtojë Kuvendin e ri. U konfirmua angazhimi publik i PS-LSI për të ndarë mandatin e deputetit nga detyra ekzekutive e ministrit.
Grupi i punës
Edi Rama dhe Ilir Meta kanë vendosur edhe të ngrihet edhe një grup përbashkët pune nën drejtimin e Sekretarit të Programit të PS, Ilir Beqja, dhe anëtarin e kryesisë së LSI Edmond Haxhinasto, i cili do të punojë për planin e detajuar të punës së 300 ditëve të para që do ti paraqitet publikut në muajin shtator. Ky grup pune do të vendosë kontakte me grupet e interesit si edhe me ekspertë vendas e të huaj të nivelit më të lartë.
Apel Berishës
Dyshja Rama-Meta kanë akuzuar qeverinë në detyre se nuk po bën thjesht kujdestarinë dymujore që imponon verdikti plebishitar i 23 qershorit, por po vazhdon në një inerci që nuk është në dobi të vendit e të qytetarëve. Prandaj dy liderët e koalicionit fitues vendosën të bëjnë apel për urtësi e përgjegjshmëri nga ana e kryeministrit në detyrë dhe e qeverisë së tij, në mënyrë që të mos ndërmerren hapa që bien ndesh me etikën e një qeverie kujdestarie. Ata kërkuan të ndalen prokurorimet e reja, të mos merren vendime për koncesione të reja të pasurisë publike, të garantohet që administrata të mos përfshihet në veprime antiligjore apo joetike të orës së fundit me arkën e shtetit.

Ministritë që kërkon Meta
Ende nuk është bërë zyrtare se sa ministri do të marrë LSI në qeverinë e re, por nga burime pranë kësaj partie mësohet se ato nuk do të jenë më pak se pesë. Mësohet se LSI gjatë këtij mandati të ri qeverisës nuk do të marrë ministritë që ka drejtuar gjatë qeverisë Berisha, por ministri të tjera. LSI ka kërkuar që të ketë të paktën një nga dy ministritë e mëdha, mininstrinë e Transporteve, dhe sipas burimeve LSI mund të marr pikërisht Ministrinë e Transporteve. Ministri të tjera që mund të marrë LSI janë ato të Integrimit, Arsimit dhe të Mbrojtjes. Megjithatë nuk përjashtohet edhe ndonjë ministri tjetër.

Edhe Dule do të jetë ministër
Kryetar i PBDNJ-së, Vangjel Dule, do të jetë pjesë e qeverisë së re. Ashtu siç ka bërë qeveria Berisha, edhe qeveria Rama-Meta duket se do ti japë minoritetit grek një ministri.

A do të marrë ministri Partia Kristiandemokrate?
Surpriza e këtyre zgjedhjeve ishte partia Kristiandemokrate e drejtuar nga Dhimitër Muslia, që nxorri në Shkodër deputetin Mark Frroku. Muslia i ka kujtuar Ramës që të respektojë marrëveshjen dhe kristiandemokratët të kenë një ministri. Në fakt sipas marrëveshjes së Ramës me aleatët para zgjedhjeve ai u premtoi atyre se kush nxjerr një deputet do të marrë edhe një ministri. Por tani me rezultatin e thellë që mori e majta, PS-LSI mund të qeverisen të vetme pa ndihmën e aleatëve, ndaj është me rrezik marrja e një posti ministror nga kjo parti.

Ngjela ministër?
Spartak Ngjela ka deklaruar para shumë kohësh se Rama atij i ka premtuar një ministri, dhe më saktë atë të Drejtësisë. Megjithatë nga ana e kreut të PS-së nuk ka pasur një përgjigje përfundimtare dhe zyrtare për këtë deklaratë të Ngjelës.

Ministritë e reja
Koalicioni i majtë do të hapë edhe dy ministri të reja. Njëra do të jetë ajo e Emigracionit, premtim ky i Partisë Socialiste gjatë fushatës, madje ministër mund të jetë Erion Veliaj, pasi ky i fundit ka mbajtur postin për emigrantët në PS. Një tjetër ministri që përflitet që mund të hapet është ajo e Fshatit, por për këtë të fundit nuk ka asgjë zyrtare deri tani.

Postet që mund të marrë partia e Gjinushit
- Zv/ministër
- Poste në nivel Drejtorësh e Prefektësh
(Qarku Tiranë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër,
Qarku Fier, Qarku Elbasan)

Postet që mund të marrë partia e Milos
- Zv/ministër
- Poste në nivel drejtorësh e prefektësh
(Qarku
Tiranë, Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku
Shkodër, Qarku Vlorë, Qarku Fier, Qarku
Berat, Qarku Elbasan)

Postet që mund të marrë partia e Dules
- Ministër
- Zv/ministër
- Poste në nivel drejtorësh e
prefektësh (Qarku Tiranë,
Qarku Korçë, Qarku Lezhë, Qarku Shkodër,
Qarku Vlorë, Qarku Gjirokastër)

Postet që mund të marrë partia e Koçit
- Poste në nivel drejtorësh e prefektësh
(Qarku Tiranë, Qarku Fier)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›