Bizneset kundër dhunës në protesta: Pronat publike dhe private duhet të mbrohen

TIRANË, 15 tetor /ATSH/ Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe tetë shoqata të biznesit kanë shprehur sot shqetësimin për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, duke kërkuar nga institucionet përgjegjëse masa konkrete për garantimin e rendit dhe sigurisë.
Në një deklaratë të përbashkët, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar/KASH, Manifaktura Shqiptare, Albania, Shoqata e Ndërtuesve, Shoqata Shqiptare e Turizmit, Shoqata e Industrisë së Përpunimit të Qumështit/IPQ, Shoqata e Industrisë Ushqimore Shqiptare, Shoqata e Bimëve Medicinale dhe Shoqata e Grave Profesioniste Afariste e Zejtare, shprehin shqetësimin e thellë për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private gjatë protestave në kryeqytet, përfshirë sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të përfaqësimit të biznesit.
Ato theksojnë se e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është një e drejtë themelore e qytetarëve dhe duhet të garantohet nga institucionet shtetërore, ndërsa dhuna, zjarrvënia dhe shkatërrimi i pronës janë të papranueshme.
“E drejta për të protestuar duhet respektuar, garantuar dhe mbrojtur nga institucionet shtetërore. Qytetarët duhet të jenë të lirë të shprehin pakënaqësitë dhe kërkesat e tyre, ndërsa institucionet kanë përgjegjësinë t’i dëgjojnë dhe t’u përgjigjen përmes dialogut dhe veprimeve konkrete”, thuhet në deklaratë.
Organizatat shprehin shqetësimin për sulmet ndaj institucioneve publike, bankave, qendrave tregtare, ndërtesave dhe objekteve të përfaqësimit të biznesit.
Sipas tyre, dëmtimi i pronës prek jo vetëm sipërmarrjet, por edhe punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit.
“Pas çdo sipërmarrjeje qëndrojnë investime, vite pune, vende pune dhe familje që sigurojnë të ardhurat prej saj. Dëmtimi i një banke, dyqani, qendre tregtare apo godine biznesi prek punonjësit, klientët dhe ekonominë e qytetit. Po kështu, dëmtimi i institucioneve dhe i pronës publike rëndon mbi të gjithë taksapaguesit”, theksohet në deklaratë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë dhe shoqatat e biznesit i bëjnë thirrje Policisë së Shtetit dhe institucioneve përgjegjëse të marrin masa parandaluese, të garantojnë praninë e nevojshme në zonat e rrezikuara dhe të ndërhyjnë në kohë për të parandaluar aktet e dhunës dhe shkatërrimit.
Njëkohësisht, ato kërkojnë që veprimet e policisë të jenë profesionale, proporcionale dhe në përputhje me ligjin, duke garantuar sigurinë e protestuesve paqësorë, qytetarëve, punonjësve të bizneseve dhe efektivëve të policisë.
Sipas deklaratës, autorët e akteve të dhunës duhet të identifikohen dhe të mbajnë përgjegjësi individuale, pa u ngarkuar faj kolektivisht qytetarëve që ushtrojnë në mënyrë paqësore të drejtën e protestës.
Organizatat u bëjnë thirrje gjithashtu organizatorëve të protestave dhe forcave politike të distancohen qartë nga dhuna, të apelojnë për qetësi dhe të kontribuojnë në ruajtjen e karakterit paqësor të tubimeve.
Një tjetër kërkesë lidhet me dokumentimin e plotë të dëmeve dhe vendosjen e një komunikimi të drejtpërdrejtë mes autoriteteve dhe sipërmarrjeve të prekura, me qëllim denoncimin, hetimin dhe ndjekjen e procedurave përkatëse. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë shprehet e gatshme të bashkëpunojë me institucionet për evidentimin e shqetësimeve të biznesit dhe forcimin e masave mbrojtëse.
“Qëndrimi ynë është i qartë dhe i pavarur nga çdo përkatësi politike: mbështesim lirinë e shprehjes, protestën paqësore, dialogun dhe zbatimin e ligjit. Kundërshtojmë pa asnjë rezervë dhunën dhe shkatërrimin, pavarësisht se nga kush kryhen”, thuhet në deklaratë.
Organizatat theksojnë se, Tirana duhet të jetë një qytet ku qytetarët protestojnë të lirë, institucionet përmbushin detyrën dhe sipërmarrjet ushtrojnë aktivitetin e tyre të sigurta.
“Garantimi i këtyre të drejtave njëkohësisht është përgjegjësi e shtetit dhe interes i përbashkët i shoqërisë”, përfundon deklarata.
/gj.m/r.e/