Bizneset në zona pa internet përjashtohen nga procesi i fiskalizimit

Bizneset që operojnë në zona të cilat nuk kanë akses në internet, do të jenë të përjashtuara nga procesi i faturimit elektronik, i njohur ndryshe si fiskalizimi. Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka marrë vendim që për këtë kategori të mos implementohet procesi i fiskalizimit, por ndërmarrjet të vazhdojnë të funksionojnë të lëshojnë fatura përmes kasës, pasi të bëjnë një aplikim tek tatimet. Tatimpaguesi që operon në një zonë të konfirmuar pa mbulim internet, duhet të sigurohet që të marrë nga administrata tatimore një konfirmim në formë elektronike, lidhur me mungesën e internetit në vendin e ushtrimit të aktivitetit me një periudhë vlefshmërie prej një viti. Pas 1 viti, nëse do të ketë pamundësi mbulimi me internet sërish, kërkesa duhet të përsëritet. Ligji parashikon si do të procedohet edhe në rastet e problemeve me internetin, apo shkëputjen e përkohshme të tij. Për subjekte të cilat për shkaqe të ndryshme do të kenë një shkëputje interneti, ligji ka parashikuar një procedurë standard të dërgimit të të dhënave. Nëse interneti do të mungojë për një afat të caktuar, atëherë tatimpaguesi do të vijojë të lëshojë fatura, dhe në momentin e rilidhjes së internetit ato fatura do të fiskalizohen. Ndërkohë që, nëse ky proces zgjat më shumë se 48 orë, do të duhet që tatimpaguesi të vërtetojë që faji i moslidhjes me internet është i ofruesit të shërbimit. Nga 1 Janari hyri në fuqi zyrtarisht procesi i fiskalizimit, fillimisht për faturat me entet publike. Fatura elektronike do të mundësojë në kohë reale kryqëzimin e të dhënave dhe do të rritë luftën kundër informalitetit.