Bizneset që punësojnë të rinjtë përjashtohet 3 vjet nga taksat
Vendimi i qeverisë përcakton edhe kriteret dhe hapat që duhet ndjekur për aplikim
Çdo biznes që do të punësojë të rinj nga mosha 16 deri në 30 vjeç do të përjashtohet për 3 vjet nga taksat. Bëhet fjalë për detyrimet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të pjesës së kontributit të punëdhënësit.
Vendimi
Vendimi për lehtësimin e bizneseve nga taksat është marrë dje në mbledhjen e radhës së qeverisë në të cilin sqarohet se: Punëdhënësit në sektorin privat, të cilët punësojnë të rinj nga mosha 16 – 30 vjeç, që kanë përfunduar arsimin e lartë, arsimin e mesëm të përgjithshëm e profesional dhe kurse të formimit profesional, mund të përfitojnë një financim mujor për tre vjet, në masën 100 për qind të sigurimeve të detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, të pjesës së kontributit të punëdhënësit, me kusht që në kontratën e punës të jetë tre vjet kohëzgjatja e programit dhe tre vjet të tjerë pa shkëputje pas përfundimit të programit. Punëdhënësit mund të punësojnë nëpërmjet këtij programi deri në 50% të numrit mesatar të të siguruarve të deklaruar në 3 (tre) muajt e fundit.
Kriteret
Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit Kombëtar të Punësimit, drejtoritë rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe zyrat vendore të punësimit bëjnë njoftimin në Buletinin e Njoftimeve Publike, çdo vit, për fondin e vënë në dispozicion dhe kriteret e përfitimit nga ky program. Punëdhënësi, që aplikon për programin e punësimit, nuk duhet të ketë shkelur në të kaluarën legjislacionin e punës, konstatuar nga Inspektorati i Punës dhe nga administrata tatimore, si dhe duhet të ketë derdhur, rregullisht detyrimet tatimore e kontributet për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, veçanërisht për vitin e fundit.
Aplikimi
Punëdhënësit, për përfitimin e sipërpërmendur, aplikojnë pranë zyrave përkatëse të punësimit duke paraqitur dokumentet e mëposhtme: a)Vendimin e gjykatës për regjistrimin si person juridik ose vendimin e Qendrës Kombëtare të Regjistrimit;b)Numrin e identifikimit të personit të tatueshëm (NIPT-in); c)Vërtetimin për shlyerjen e kontributeve për sigurimet e detyrueshme, shoqërore dhe shëndetësore, që lëshohen nga organet e sigurimeve shoqërore, për aq kohë sa ushtron veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit;ç)Numrin e llogarisë bankare; d)Vërtetimin nga dega e tatim-taksave, ku personi juridik ushtron veprimtarinë, për shlyerjen e detyrimeve tatimore për aq kohë sa kryen veprimtarinë, por jo më gjatë se për një periudhë kohore njëvjeçare, nga çasti i aplikimit; si dhe informacion për numrin e fuqisë punëtore; sigurimin dhe pagat e tyre. Më pas punëdhënësi, plotëson formularin përkatës, sipas modelit të miratuar nga Shërbimi Kombëtar i Punësimit, dhe ndjek të gjitha procedurat e tjera në bashkëpunim me zyrat dhe drejtoritë e punësimit.
Punësimi
Zyra e punësimit vë në dispozicion të punëdhënësve listën e punëkërkuesve të papunë që plotësojnë kriteret për të përfituar nga ky program. Punëdhënësi përzgjedh kandidatin më të përshtatshëm. Punëkërkuesit e papunë, që kundërshtojnë të marrin pjesë në këtë program, hiqen nga lista e punëkërkuesve të papunë. Punëdhënësi dhe punëkërkuesi, si punëmarrës, nënshkruajnë një kontratë individuale pune, në të cilën përcaktohen të drejtat dhe detyrimet e palëve, sipas përcaktimeve të bëra në Kodin e Punës dhe në këtë vendim. Punëdhënësi, i cili ndërpret marrëdhëniet e punësimit, pa shkaqe të arsyeshme për periudhën mbas përfundimit të subvencionimit (3-vjeçari i dytë), detyrohet të kthejë subvencionin e marrë për këtë person për periudhën e paplotësuar sipas kontratës. Financimi ndërpritet në rastin kur punëdhënësi, pas përfitimit të financimit, në zbatim të këtij vendimi, zgjidh, pa shkaqe të arsyeshme, kontratat e punës së punëmarrësve të tjerë, të punësuar pranë tij, të vërtetuar nga Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Sociale. Programi i punësimit do të fillojë të zbatohet në vitin 2013 dhe kohëzgjatja e tij të jetë 6 (gjashtë) vjet.