Berisha-Ramës: Voto nismën për votat e emigrantëve
Kryeministri Sali Berisha i është rikthyer edhe një herë nismës për votën e emigrantëve. Kreu i qeverisë i bëri thirrje kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama që të lejojë deputetët të votojnë në parlament nismën që u jep të drejtë emigrantëve të votojnë në vende ku janë ndërsa theksoi se qeveria merr të gjitha përgjegjësitë për procesin e votimit të tyre.
Deklarata
I them zotit Rama se është në nderin dhe dinjitetin tonë tu japim atyre mundësinë të votojnë aty ku janë, i them zotit Rama se në vendin fqinj ku ishte dhe mashtronte duke dëshmuar se është i mbrujtur me gënjeshtrën në mënyrën më të pashpresë dhe për burrin nuk ka gjë më të gënjeshtra. Se gratë nuk gënjejnë ose më shumë më pak, ka teste sinqeriteti për këtë. Në atë vend pikërisht vota e bashkëpatriotëve italianë nga Argjentina ka përcaktuar rezultatet e zgjedhjeve, ndaj dil dhe çlirohu nga fobitë dhe urdhëro të vendosim që nesër në Parlament apo ditën e hënë dhe përgjegjësinë e merr qeveria nëse nuk krijon kushtet të votojnë aty ku janë, tha kryeministri Berisha.
Fermerët
Në vijim të mbledhjes, kryeministri u ndal edhe tek fermerët ku në këtë pikë akuzoi qeverinë socialiste se grabiste fermerët me akcizën e caktuar ndaj tyre. Skema e qeveritarëve paraardhës përmblidhet me dy fjalë Caci Oil. Tollonat, fermerët nuk i panë me sy, kurrë. Ato përfunduan në xhepat e qeveritarëve socialist, qendror dhe vendorë. Ne bëmë mirë që ndaluam atë skemë grabitjeje të pasurisë kombëtare, deklaroi kryeministri Berisha. Shefi i qeverisë tha se mazhoranca ka skemë transparente për të ndihmuar fermerët me qëllim që paratë të përfundojnë në duar e tyre. Ne kemi qenë në kërkim të një skeme transparente për të ndihmuar fermerët tanë. Grupe të ngarkuara nga Ministria e Financave, por edhe grupe interesi kërkuan që rruga më e sigurt për heqjen e TVSH-së për fermerët dhe akcizës për naftën të jetë dhënia në dorë e parave për fermerët me sasinë e asaj që kanë përdorur, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
(Renato Dauti)
Qeveria emëron zëvendësministrat e rinj
Në mbledhjen e djeshme qeveria ka miratuar edhe disa prej zëvendësministrave si dhe kryetarin e qarkut Durrës, poste këto të mbetura bosh pas largimit të anëtarëve të LSI-së. Kështu, Genc Juka emërohet prefekt i qarkut të Durrësit pas largimit të Genci Alizotit i propozuar nga LSI. Kreshnik Çollaku emërohet zëvendësministër i Punëve të Jashtme. Auron Mëneri, zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, lirohet nga kjo detyrë. Sajmir Hoxha emërohet zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave dhe Flamur Kuçi emërohet zëvendësministër i Punëve Publike dhe Transportit. Këshilli i Ministrave vendosi gjithashtu shkarkimin nga detyra të Gëzim Podgorica, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Telegrafike Shqiptare deh emërimin në vend të tij të, Basir Çollaku.