Bjellorusia dëbon diplomatët letonezë për shkak të flamurit

Bjellorusia të hënën dëboi të gjithë diplomatët letonezë, duke akuzuar Rigën për fyerjen e flamurit të këtij vendi.
Duke folur para gazetarëve, ministri i Jashtëm bjellorus Vladimir Makei tha se ambasadori Einars Semanis ishte thirrur në ministri me arsyetimin se “flamuri bjellorus ishte fyer në Riga”.
Makei tha se Semanis u kërkua të largohej nga vendi brenda 24 orëve, së bashku me diplomatët e tjerë dhe stafin administrativ të ambasadës brenda 48 orësh.
Përballë qendrës ku u mbajt Kampionati Botëror i Hokeyit IIHF në Riga, ministri i Jashtëm letonez Edgars Rinkevics dhe Martins Stakis, kryetari i Bashkisë së Rigës, zëvendësuan flamurin shtetëror bjellorus me një banderolë të përdorur nga opozita në protestat bjelloruse verën e kaluar.
Kjo erdhi mes tensioneve të rritura pasi një avion luftarak bjellorus MIG-29 detyroi një avion komercial të kompanisë Ryanair që kalonte nëpër hapësirën ajrore të Bjellorusisë të ulej në Minsk, duke përmendur një “kërcënim bombe”./AA