Bjellorusia konfirmon ekzekutimin e sulmuesve të metrosë në Minsk

Në një raport të shkurtër, agjencia shtetërore BeITA, tha se Wladzislaw Kavalou dhe Dmitri Kanavalu, janë ekzekutuar.
Në nëntorin e vitit të kaluar, dy 26-vjeçarët, punonjës fabrike, janë dënuar me vdekje, pasi janë shpallur fajtorë për sulmet në stacionin nëntokësor të kryeqytetit bjellorus, të cilat kanë lënë të vrarë 15 persona.
Nëna e Kavalout, Libou, tha se ekzekutimi i djalit të saj ishte hakmarrje nga qeveria e presidentit Aleksandër Lukashenko.
Në Bruksel, Maja Kocijancic, zëdhënëse e shefes për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka reaguar ndaj lajmit të ekzekutimit, duke thënë se “nëse një gjë e tillë konfirmohet të jetë e vërtetë, ne e dënojmë atë”.
Veprimin e ndërmarrë nga Bjellorusia e ka dënuar edhe ministri i Jashtëm gjerman, Guido Westerwelle.
Bjellorusia është i vetmi vend në Evropë që zbaton dënimin kapital.