E Diel, 1 Nëntor 2026

Nuk ka tërheqje të parakohshme të NATO-s nga Afganistani

Presidenti amerikan Barack Obama dhe kolegu i tij afgan, Hamid Karzai, larguan mosmarrëveshjet e shkaktuara për datën e tërheqjes së trupave nga Hindukushi, duke vendosur që viti 2014, ashtu siç ishte paraparë, të mbetet vit i tërheqjes.

Pas një telefonate të dy presidentëve, Shtëpia e Bardhë në Washington njoftoi se të dy politikanët kanë rënë dakord për të theksuar edhe një herë se afati i largimit të trupave është viti 2014. Pas kësaj date, përgjegjësia për sigurinë në Hindukush do t`i jepet trupave afgane.

Para fillimit të vitit 2013, ushtria afgane e përkrahur nga ushtarët amerikanë do të marrë përsipër drejtimin e ndërhyrjeve luftarake. Synimi është që "Afganistani të marrë gjithnjë e më shumë përgjegjësi për sigurinë e tij", theksuan Barack Obama dhe Hamid Karzai.

Presidenti afgan pati reaguar pas djegies së ekzemplarëve të Kuranit në një bazë ushtarake amerikane, si dhe vrasjen e 16 civilëve nga një ushtar amerikan, duke theksuar se vendi i tij do të marrë që në vitin 2013 nga trupa ndërkombëtare e NATO-s përgjegjësinë e plotë për çështjet e sigurisë. Kjo irritoi shtetet anëtare të NATO-s.

Kundër kësaj iniciative foli edhe qeveria gjermane në Berlin. Gjermania do t`i përmbahet planit kohor për tërheqjen e trupave nga Afganistani për vitin 2014, tha zëdhënësi i qeverisë, Steffen Seibert.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›