E Diel, 1 Nëntor 2026

Bjellorusia lejon vizat tranzit për qytetarët europianë


Bjellorusia lejoi shtetasit e BE-së të bllokuar nga mbyllja e aeroporteve, për shkak të resë së hirtë krijuar nga vullkani në Islandë, të qëndrojnë në territorin e saj pa viza tranziti. Vizat e tranzitit kërkohen zakonisht në rastet kur nuk respektohen afatet e qëndrimit në një shtet. Lajmi u bë i ditur nga zyrtarë të lartë vendas.
"Qytetarët evropianë që nuk mund të lëvizin nga aeroportet e Rusisë për shkak të shpërthimit vullkanik mund të kthehen në shtëpitë e tyre duke kaluar nëpërmjet territorit të Bjellorusisë'', theksoi zëdhënësi i komitetit të kontrollit në kufijtë e Bjellorusisë, Alexandre Tichenko.
"Qytetarët evropianë të pajisur me bileta rezervimi të avionit apo me bileta, data e të cilave ka përfunduar mund të përdorin koridorin tranzit'', shtoi ai.
Bjellorusia ndodhet mes Rusisë dhe disa vende të Evropës Qendrore, por për të kaluar këtë ish-Republikë sovjetike, duhet një vizë tranziti, kërkesa e së cilës duhet të kryhet disa ditë para. Një veprim i tillë nga ana e shteti bjellorus duket se është pritur mirë nga të gjitha shtetet europiane. Bjellorusia, e cila ka një qeveri proruse, gjatë viteve të kaluara ka pasur dhe vazhdon të ketë marrëdhënie të vështira me institucionet e BE-së, për shkak të qeverisë së Lukashenkos.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›