Papa Benedikti XVI, vizitë mes polemikash në Maltë
Benedikti XVI mbërriti ditën e shtune në Maltë për një vizitë të shkurtër pas skandaleve të pedofilisë, që kanë përfshirë Kishën Katolike Romane. Pavarsisht polemikave të ashpra që e kanë përndjekur numrin 1 të Vatikanit, Papa Ratcinger ka marrë një mikpritje të ngrohtë nga mijëra e mijëra besimtarë maltezë të cilët kishin dalë që të prisnin atin e shenjtë në rrugët e kryeqytetit La Valeta. Malta ka një popullatë prej 400 mijë banorësh, ndërsa 95 % e popullatë i përkasin fesë katolike. Në shtetin maltez janë të ndaluar me kushtetutë si aborti gjithashtu edhe divorci.
Gjatë fjalës së tij përshëndetëse Papa Ratcinger e ka përshendetur faktin se në Maltë në respektohet institucioni i familjes dhe nuk abuzohet me abortin.
" Kombi juaj duhet të vazhdojë që ta respektojë institucionin e martesës si një institucion i shejntë dhe që nuk mund të zhbëhet. Kjo është mënyra më e mirë për të respektuar vlerat e mëdha që përmban katolicizmi."- u shpreh papa Benedikti XVI gjatë vizitës së tij në Maltë. Vizita e papës në Maltë është vizita e parë e Atit të Shejntë në një shtet të huaj që nga koha që kanë plasur akuzat dhe sulmet ndaj kishës katolike romake në lidhje me abuzimet e pedofilisë. Ende nuk është bërë e ditur nëse Papa Ratcinger do të flasë në lidhje me akuzat e pedofilisë ndaj kishës dhe Vatikanit. Pritet që ditën e dielë papa gjerman të mbajë një meshë me dyer të hapura në Valeta.