Blanche anulon fondin 1.8 miliardë dollarësh “kundër-armatosjes” pas presionit nga republikanët

I nominuari i Presidentit Donald Trump për postin e Prokurorit të Përgjithshëm, Todd Blanche, ka njoftuar anulimin zyrtar të fondit prej 1.8 miliardë dollarësh të njohur si fondi për “kundër-armatosjen”, pas kundërshtimeve të forta nga senatorë republikanë që kërcënuan të bllokonin konfirmimin e tij. Në një postim në rrjetin social X, Blanche tha se gjatë javëve të fundit kishte zhvilluar takime me senatorë dhe anëtarë të Komitetit Gjyqësor të Senatit për të adresuar të gjitha shqetësimet lidhur me fondin.
“Kemi pasur diskutime me mirëbesim dhe, si rezultat, po publikojmë urdhrin që shfuqizon vendimin e muajit maj”, shkroi ai.
Blanche publikoi edhe urdhrin zyrtar, i datës së diel (3 gusht), ku thuhet se urdhri i 18 majit 2026 për krijimin e fondit “shfuqizohet dhe nuk do të ketë më fuqi apo efekt”.
Fondi ishte krijuar përmes një marrëveshjeje mes avokatëve personalë të Trump dhe Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), dhe parashikonte kompensimin e personave që pretendonin se kishin qenë viktima të përdorimit politik të institucioneve federale, përfshirë disa të përfshirë në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Programi u bë objekt kritikash nga senatorët republikanë John Cornyn dhe Thom Tillis, anëtarë të Komitetit Gjyqësor të Senatit, të cilët kërkuan garanci me shkrim se fondi do të hiqej përfundimisht. Dokumenti i ri kufizon gjithashtu dispozitën e marrëveshjes që lidhej me imunitetin nga hetimet tatimore për Presidentin Trump dhe familjen e tij. Sipas urdhrit, kjo mbrojtje zbatohet vetëm në mënyrë retroaktive dhe vetëm për palët e përfshira në padinë fillestare ndaj IRS-së.
Një zëdhënëse e senatorit John Cornyn konfirmoi se ishte arritur një marrëveshje me Departamentin e Drejtësisë, duke theksuar se fondi është mbyllur përgjithmonë dhe se marrëveshja me IRS ka fushëveprim të kufizuar vetëm për paditësit e përfshirë në çështje. Komiteti Gjyqësor i Senatit pritet të mblidhet të martën për të votuar mbi emërimin e Blanche, pasi votimi i planifikuar javën e kaluar u shty për shkak të kundërshtimeve brenda radhëve republikane.
Pak orë para njoftimit të Blanche, Presidenti Trump kishte mbrojtur publikisht fondin, duke deklaruar se ai synonte të kompensonte mbështetësit e tij për “dhimbjen” që, sipas tij, kishin pësuar nga veprimet e qeverisë federale. Trump paralajmëroi gjithashtu se, nëse Senati nuk e konfirmon Blanche-n, do ta rikthejë sërish idenë e fondit në diskutim.
/rtsh.al/