Pesë ikona në proces restaurimi në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë

Pesë ikona me vlera të veçanta historike dhe artistike i janë nënshtruar procesit të restaurimit në Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë.
Puna po kryhet nga specialistët e restaurimit, me synim ruajtjen e veprave dhe zgjatjen e jetës së tyre për brezat e ardhshëm.
Ndër ikonat që po restaurohen, më e veçanta është një vepër që daton në shekullin XIV, e cila konsiderohet ndër objektet më të hershme dhe më të rëndësishme të koleksionit të muzeut.
“Një ndër të cilat është Shënmëria me Krishtin, që i përket shekullit të 14-të. Është në proces edhe studimi i saj dhe është një nga ikonat më të veçanta, sepse është e pikturuar nga të dyja anët. Ndërkohë vazhdon procesi i fotografimit, i uploadimit në database dhe të gjitha proceset e tjera të konsolidimit”, tha Fjoralba Prifti, Drejtore e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar.
Specialistët bëjnë me dije se procesi i restaurimit përfshin pastrimin, konsolidimin e shtresave të pikturës dhe ndërhyrje të kontrolluara për të frenuar dëmtimet e shkaktuara nga koha dhe faktorët mjedisorë, duke respektuar standardet ndërkombëtare të konservimit.
“Janë trajtuar që nga panelet e drurit, që kanë qenë me probleme të dëmtuara nga insektet rënëse, dëmtime të tjera në shtresat e pikturës, deri te largimi i vernikëve të degraduar dhe ndërhyrjet estetike”, tha Genti Proko, Përgjegjës i laboratorit të restaurimit dhe konservimit, MKAM.
Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar vijon punën për ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, duke synuar që ikonat të ekspozohen në gjendjen sa më të mirë të mundshme dhe të vazhdojnë të dëshmojnë vlerat e artit mesjetar shqiptar për vizitorët vendas dhe të huaj.
Gazetare: G. Manushi
/rtsh.al/