Bledar Devolli nënshkruan me Partizanin
Skuadra kryeqytetase ka afruan në ekip ish-mesfushorin e saj, Bledar Devollin, i cili do të luajë për të kuqtë në fazën e dytë
Nga Edmond Sufaj
Ish-lojtari i të kuqve, gjirokastriti Bledar Devolli është përforcimi i ri skuadrës së Partizanit për sezoni e dytë. Afrimi i këtij lojtari është pjesë e planit për të ndërtuar një ekip të fortë për fazën e dytë të kampionatit, ku objektivi për ngjitjen në Superligë nuk duhet të diskutohet. Devolli ka qenë pjesë e ekipit të Partizanit në sezonin 2007-2008, ku doli nënkampion me të kuqtë. Në atë sezon, Devolli luajti 21 ndeshje dhe shënoi një gol. Më pas, lojtari gjirokastrit ka luajtur me një sër skuadrash në Superligë, ku veçohet skuadra e Tiranës, me të cilën ka luajtur për dy sezone duke zhvilluar 60 ndeshje në sezonet 2008-2010. Në sezonin e fundit ka luajtur me skuadrën e Shkumbinit, me të cilën prishi me konsensus kontratën. Gjithashtu, duhet theksuar se mesfushori 34-vjeçar ka luajtur dhe dy ndeshje me kombëtaren në vitin 2000. Eksperienca e tij e madhe, duket se është dhe elementi bazë që ka shtyrë drejtuesit e skuadrës së Partizanit për të nënshkruar me mesfushorin. Skuadra e kuqe ka shfaqur problem pikërisht në këtë aspekt, pra te mungesa e eksperiencës, ku ka humbur pike të çmuara në shumë ndeshje. Devolli është njëkohësisht dhe një nga të preferuarit e tifozërisë së skuadrës, të cilët e vlerësojnë për grintën që ai tregon në fushën e lojës. Drejtuesit e Partizanit kanë premtuar një merkato të fuqishme për fazën e dytë, premtim i cili sapo ka nisur të realizohet.
