E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plaku: Largim nga Turbina? Vetëm pas ngjitjes në të parën

Drejtuesit cërrikas po planifikojnë të shpërnadajnë një shpërblim për festat e fundvitit, ku përflitet për një shumë prej 50 dollarësh për futbollist

Nga Artan Paja

Futbollisti titullar i Turbinës, Arbër Plaku e shikon me mjaft interes të ardhmen e tij te skuadra cërrikase, duke pohuar se do të largohet nga ekipi vetëm atëherë kur skuadra i tij të jetë ngjitur në kategorinë e parë. Fillimisht, 21-vjecari peqinas u bë protagonist kryesor tek Turbina gjatë sezonit të kaluar duke lënë ”shijen”e mirë tek stafi drejtues, por edhe te sportdashësit  e zjarrtë. Mesfushori i avancuar me tipare sulmuese, Plaku ka qenë një pikë e fortë e skuadrës, duke hedhur baza të shëndosha në krahun e majtë. ”Mund të them se jam përshtatur që në ndeshjen e parë me grupin e futbollistëve, ku besoj se Turbina është skuadra ideale, ku unë mund të shprehem lirshëm. Më kanë trajtuar mirë të gjithë, por dhe më kanë respektuar. Unë do të përpiqem dhe bëj maksimumin në fushën e lojës dhe të kthej të njëjtin respekt. Trajneri Belshi është mjaft i komunikueshëm dhe kjo e bën më të lehtë gjithçka. Do të jem pjesë e Turbinës deri në kohën kur ekipi do të prekë kategorinë e parë”, tha për Sportin Shqiptar, futbollisti i talentuar peqinas, Arbër Plaku. Nga ana tjetër, kryebashkiaku i Cërrikut, Servet Duzha dhe stafi drejtues me në krye trajnerin, Engjëll Belshi janë duke studiuar opsionin e një shpërblimi modest me rastin e festave të fundvitit. Mësohet se institucioni vendor e ka të pamundur të sajojë disa financa këto ditë, por krerët e klubit po interesohen që shpërblimet të mundësohen nga një rrugë dytësore, siç janë ato të donatorëve. Ende nuk është përcaktuar shuma për secilin futbollist, por mendohet që ato të jenë në kuotën e 50 dollarëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›