E Diel, 1 Nëntor 2026

Bledi Strakosha: Mes modeleve, kujtoj provën time pa sukses si i tillë në Milano

SHKRUAN: Ilda Lumani 28-05-2011 10:07

Mungesa e tij ndihet në “Klan”! Orët e vona të “Blu”-së nuk janë më… Por, Bledi Strakosha, prezantuesi i mirënjohur, pas pushimeve ka vendosur të vijë në ekran në një tjetër format. “Supermodel of Albania 2011”, eventi i përvitshëm i stilistit të suksesshëm, Joni Peçi, ka qenë një tundim për të. Aq më tepër që prej disa vitesh, Bledi prezanton javën e modës “Tirana Fashion Week”. Puna me të rinjtë modelë është interesante… sidomos kur e dëshiron atë që bën. Dhe dëshira për modelimin në fakt ka ekzistuar tek ai, në kohën që ishte student në Milano. Por sot në mbrëmje, ai do të vijë në pasarelën e këtij spektakli, ku do të konkurrojnë 60 të rinj e të reja, për të çelur siparin e një gare që do të na mbajë për tetë javë para ekranit. Për më tepër… Bledi tregon…!

Bledi, sot në mbrëmje nis spektakli i modës "Supermodel Albania"... Si është konceptuar ai, mund të na tregoni diçka para se ta shohim në transmetim?

Ka pasur një pjesëmarrje të jashtëzakonshme në audicione, mbi 600 të rinj nga të gjitha trevat shqiptare morën pjesë, por u përzgjodhën vetëm 60 prej tyre: 30 vajza, e 30 djem. Çdo javë këta të rinj do të konkurrojnë mes tyre në grupe të ndara prej 10 vetësh. Spektakli do të ketë videoklipe prezantuese, ku të rinjtë shprehin gjithçka për jetën e tyre, klipe artistike të tyre, gjithashtu e shumë sfilata. Një juri profesionistësh do të vlerësojë në fund të çdo spektakli se cilët të rinj do të eliminohen, e cilët prej tyre do të kenë mundësi të vazhdojnë garën më tej. Sigurisht që nuk do të mungojnë edhe elementët muzikorë në spektakël me të ftuar specialë, por edhe debatet mes konkurrentëve e jurisë.

Është një angazhim i përjavshëm për ju dhe ju rikthen sërish në ekran. Si po e pret këtë nismë të re?

Shumë mirë. Më pëlqen sepse është krejt ndryshe nga formati i “Blu”-së, ku publiku është mësuar të më shohë. Këtu do të vij ndryshe, që nga mënyra e prezantimit e deri tek pamja.

Ju keni prezantuar edhe herë të tjera evente mode, çfarë do të ketë të veçantë këtë herë në prezantimin tuaj, por edhe në veshjen (të cilën e përmendët pak)? Mund të na tregoni disa detaje për veten?

Prezantimi kërkon ritëm në një spektakël të tillë. Edhe pamja do të jetë shumë sportive. Jemi munduar që unë e Jona, bashkëprezantuesja, të vijmë sa më pranë të rinjve me pamjen tonë, por edhe me mënyrën e prezantimit. Besomëni, është një eksperiencë shumë e veçantë e për këtë falenderoj Joni Peçin, që për të disatin vit më zgjodhi mua si prezantues të projektit të tij.

Mes modës dhe të rinjve që aspirojnë pasarelën. Si po e përjeton këtë ndjesi?

Unë kam qenë një prej tyre dikur, kur studioja në Milano. Më kujtohet se rrugët e qendrës së Milanos ishin thuajse gjithnjë të mbushura me modele e papritur më lindi edhe mua dëshira ta provoja, ndonëse pa sukses. Po më shijon shumë e gjitha. Më vjen mirë që kemi të rinj kaq të pashëm e ambiciozë. Do të jetë pak e vështirë emocionalisht, sepse kemi muaj që bëjmë prova e dashje pa dashje kemi krijuar edhe një lloj miqësie me njëri-tjetrin, çka do më bëjë të ndihem vërtet keq për ata që s'do kenë mundësinë ta vazhdojnë garën deri në fund.

Ajo që mbetet e rëndësishme është çmimi që do fitojnë fituesit..

Për çmimin do të flasim gjerë e gjatë në program, për momentin do preferoja ta mbaja të fshehtë. Mjafton të them se do të ndryshojë krejtësisht jetët e fituesve e do t'u japë mundësi shumë të mira profesionale. Mundësi që vetëm ky titull mund t'i japë në Shqipëri.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›