Grabitësit e kasafortës me 600 mln lekë, 59 vjet në burg
Tiranë- Të pandehurit e grupit “Hijet e Natës”, që akuzohen për një sërë vjedhjesh në kryeqytet, janë shpallur fajtorë nga Gjykata për Krime të Rënda, duke i dënuar me 59 vite burg. Pesë nga tetë të pandehurit e këtij grupi të strukturuar kriminal, sipas gjykatës akuzohen për të paktën pesë raste vjedhjesh dhe vjedhje me pasoja të rënda, duke iu referuar “rrëmbimit” spektakolar të kasafortës me 600 milionë dollarë, në pronësi të biznesmenit të ndërtimit, I. Çeka. Sipas vendimit të djeshëm, të firmosur nga gjyqtari Bardhyl Dhamo dhe katër kolegët e tij, pesë prej të pandehurve konsiderohen si organizatorët dhe drejtuesit e grupit të strukturuar kriminal, mbi të cilin rëndojnë disa vjedhje me vlera të konsiderueshme monetare. Elton Lika, i cilësuar nga prokuroria si kreu i këtij grupi, është dënuar me 12 vjet heqje lirie dhe 4 milionë lekë gjobë, pra vetëm 1 vit më pak nga masa e dënimit, që përfaqësuesi i akuzës kërkoi një seancë më parë. I pandehuri i dytë, më i rëndësishmi i “Hijeve të Natës”, Sulejman Bakalli, është shpallur fajtor për dy vjedhje në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe dy të tjera me pasoja të rënda, një prej të cilave është kasaforta e biznesmenit në katin e tetë të një pallati në “Bulevardin Zogu I” në kryeqytet. Për këto akuza, Bakalli i cili ka qenë i proceduar më parë për disa vepra penale të rënda është dënuar me 11 vjet heqje lirie, ose një vit më pak se kërkesa e prokurorisë. Si pjesë të rëndësishme të grupit, por jo në rolin e dy të pandehurve të parë, Krimet e Rënda shpallën fajtorë dhe dënuan respektivisht me 11 dhe 10 vjet burg të pandehurit Sajmir Kuçi e Admir Burri. Këta të pandehur, sipas gjykatës akuzohen si pjesëmarrës në të paktën pesë raste vjedhjesh, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, dhe për vjedhje me pasoja të rënda në dëm të biznesmenit të ndërtimit I. Çela. Dritan Duka, i pandehuri i pestë për nga rëndësia është dënuar për tri raste vjedhjesh në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, ndërsa në total është dënuar me 7 vjet e gjysmë heqje lirie. Tre të pandehurit e tjerë të këtij procesi janë shpallur fajtorë nga Krimet e Rënda për vjedhje, por jo në kuadër të grupit strukturuar kriminal, pasi një gjë e tillë nuk është provuar gjatë hetimeve të kryera nga prokuroria. Sipas vendimit të djeshëm të gjykatës rezulton se Taulant Mataj është shpallur fajtor për 4 vjedhje të kryera në bashkëpunim, ndërsa është shpallur i pafajshëm për vjedhjen e kompjuterëve në ambientet e Ambasadës daneze në Tiranë, duke e dënuar me 3 vjet burgim. Të njëjtën masë dënimi Gjykata ka dhënë edhe për të pandehurin Euklid Habili, i cili gjithashtu akuzohet për tri raste vjedhjesh në bashkëpunim. Drinald Mataj, i akuzuar për vjedhje në bashkëpunim është dënuar me 1 vit e 8 muaj heqje lirie nga Gjykata për Krime të Rënda.