E Martë, 3 Nëntor 2026

Bledi Strakosha te “Klubi 5” për kafshët shtëpiake dhe endacake

Në studion e “Klubit 5” gazetari dhe prezantuesi i njohur Bledi Strakosha mbërriti fizikisht në emisionin e radhës.

Moderatorët Florian Zyka dhe Erion Korini iu referuan rasteve të fundit të sulmit të qenve mbi qytetarët. Zgjodhën të mësojnë nga Bledi në vetën e parë se çdo të thotë të mbash kafshë shtëpiake dhe veçanërisht qen. Strakosha kujtoi kohën kur ai vetë kishte zgjedhur shoqërinë e një labradori.

“Mos u thoni qen. Ata kanë emra. Çdo individ ndjen keqardhje kur thjesht i referohen me këtë mënyrë. Fyhemi sepse jemi të lidhur shumë me ta. Kanë ndjenja, momentet e tyre të mërzisë, të meditimit, të shprehjes së dashurisë pa kufij për pronarët e tyre.“

Raportohen sulme deri vdekjeprurëse si parandalohen këto raste?

“Qentë janë pasardhës të ujqërve. Sulmi është në ADN-në e tyre, por u aktivizohet ky instinkt kur i mbajnë të izoluar. Ujqërit jetojnë në kope. Socializimi është domosdoshmëri për një qen. Jeta në komunitet i bën më paqësorë.“

Më pëlqen kjo apo ajo kafshë

“Janë frymorë qenie që kryejnë shërbime njëherësh dhe kërkojnë shërbime,” shtoi moderator Florian Zyka, duke iu referuar faktit se shumica nisen nga pamja, tërhiqen prej saj dhe e bëjnë fakt bashkëjetesën.

Prezatuesi Strakosha, informoi nisur nga përvoja e tij se:

“Çdo bashkëjetesë ka te drejtat, detyrimet midis palëve. Kafshët shtëpiake, veçanërisht qentë jetojnë sipas përmasave deri ne 14 apo 17 vjet, pothuajse dy dekada. Është aq serioz vendimi për të bashkëjetuar me të, aq sa edhe për të sjellë në jetë një jetë. Kanë kosto kërkojnë përkushtim vëmendje kanë orare të caktuara për ushqim dhe nevojat bazë organike. Duhet të mendoheni mirë duke parashikuar edhe ndryshimet në jetën tuaj.“

Përse shqiptarët e duan nje qen?

“Dikur, kjo kërkesë,” shpjegoi z. Strakosha, “ishte e rrallë.“

“Më së shumti kafshët shtëpiake sidomos qentë jetonin në periferi. Roli kryesor ishte mbrojta e familjes, territorit , e të tjera. Sot të kesh një qen race është tepër në modë. Përse një ndikim të madh kanë pasur realizimet filmike? E kush nuk është ndikuar nga ‘Hachiko’ i famshëm. Kanë parë produksione të ndryshme, janë ndërgjegjësuar për përkrahjen emocionale, për mbështetjen në çdo situatë nga kafsha e tyre shtëpiake. Kanë kuptuar se ata janë burim i mirëqenies psikike, pa harruar se sot të kesh një ‘qen luksi’, do të thotë të kurorëzosh statusin ekonomiko-social.“

Po mbetjet e kafshëve

Qytetarët zakonisht kanë informacion për nevojat bazike të kafshëve, janë pjesë e reflekseve të pakushtëzuara. A edukohen kafshët shtëpiake, e kujt është barra për të pastruar mbetjet organike të tyre?

“Ky problem është i dukshëm në çdo bulevard apo rrugicë,” shtroi çështjen moderatori Florian Zyka. 

“Duhen edukuar bashkëjetuesit tanë me katër këmbë, duhet të edukohen dhe poseduesit e tyre,” sugjeroi Bledi Strakosha.

“Në çdo rast, pronari duhet të mbledhë atë çka miqtë e tyre lënë nga prapa. Ka në treg sot, doreza plastike, letra higjienike që lehtësojnë këtë shërbim. Duhet edukim, ndergjegjësim. Sistemi i gjobave pa dyshim që vë rregull.“

Bashkëjetesa me kafshët, një sugjerim dobiprurës

Si përfundim nisur nga përvoja e tij e gjatë e bashkëjetesës me labrador, Bledi e përkufizoi kështu: 

“Janë melhem, shpirt, dashuri. Mbani kafshë shtëpiake, sot kam dy një tjetër labrador, të mbesës dhe një të gjyshërve. I kanë zgjedhur sipas nevojave dhe mundësive që kanë.“

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›