E Martë, 3 Nëntor 2026

Bledi u kthye nga emigracioni, Rama: Me hovin turistik të vendit, do të jetë gur i rëndë në vend të vet

TIRANË, 13 mars/ATSH/ Bledi është një qytetar që u lind dhe u rrit në Tiranë, por në vitin e mbrapshtë 1997 u largua nga Shqipëria drejt Italisë.

Kryeministri Edi Rama përcolli mesazhin e tij në rrjetet sociale, si një shembull të një tjetër shqiptari që është rikthyer nga emigracioni për të investuar kursimet e tij në vendin ku u lind dhe u rrit, me besimin se mundësitë sot në Shqipëri janë të jashtëzakonshme.

“Me hovin turistik që ka marrë vendi ynë, ai do të jetë gur i rëndë në vend të vet”, shkruan Kryeministri Rama.

Nga ana e tij, Bledi e nis rrëfimin me rrugëtimin drejt Italisë në vitin e trazirave në Shqipëri, 1997 kur vendosi të shkëputej nga Tirana në drejtim të Milanos në Itali.

“Rastësia më solli që të punoja në një kompani që hapnin restorante dhe unë bëja pjesë te grupet e hapjes së restoranteve. Kjo eksperiencë më ngriti profesionalisht dhe në një moment të caktuar pasi dëgjova të gjithë miqtë e mi italianë që thoshin si është Shqipëria, na pëlqen të shkojmë me pushime, sikur po lindte një dëshirë e imja që të rikthehesha këtu”, thotë ai.

Bledi thotë se u kthye në Tiranë në vitin 2022, për të ndarë gjithë përvojën e marrë ndër vite në shtetin italian sa i takon restoranteve.

“Hapëm një lokal ku përdorim vetëm produkte italiane, të bashkangjitura me eksperiencën dhe traditën shqiptare. Emrin ia vumë “Piknik” sepse mbaj mend në fëmijërinë time kur iknim nga kodrat e liqenit me familjen dhe bënim atë ushqimin me vete me bukën me djathë. Ne këtu bëjmë pikërisht atë. Bëjmë paninet me djathëra të ndryshme, proshuta dhe sallamëra të ndryshme”, tha Bledi.

“Në këtë moment, me rritjen e turizmit në Tiranë dhe aktiviteti ynë ka marrë një rrugë jashtëzakonisht pozitive. Është momenti më i duhur për të arritur të bësh diçka që do, në bazë të eksperiencës që kemi krijuar në vende të huaja. Siç thuhet, guri i rëndë në vend të vet dhe kjo ndoshta është gjëja më e bukur që unë kam bërë sot”, përfundoi ai. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›