E Martë, 3 Nëntor 2026

“Paketa e maleve”, Mazniku: Shpërndarje e turizmit në territor, nga bregdeti në zonat malore

TIRANË, 13 mars /ATSH/ Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku u shpreh se, pr/ligji për “Paketën e maleve”, zgjidh një problem shumë të rëndësishëm në raport me zhvillimin e turizmit në Shqipëri.

Duke marrë fjalën në seancën e Kuvendit, Mazniku tha se turizmi në vendin tonë është motori kryesor i zhvillimit ekonomik.

Ai solli në vëmendje se, në 2013 Shqipëria numëronte 1 milion turistë ndërsa vitin e fundit janë 12 milionë turistë që kanë vizituar vendin tonë.

Mazniku u shpreh se të ardhurat nga turizmi janë rritur ndjeshëm.

“Në vitin e fundit turistët kanë shpenzuar në Shqipëri rreth 5 miliardë euro, ose 17 % të PBB dhe nga kjo shumë 1.7 miliardë euro ose 35% kanë shkuar në hoteleri; 1,5 miliardë euro të ardhurave nga turizmi kanë shkuar për restorantet, ku kanë përfituar kamarierët stafet e restoranteve, pagat e të cilëve janë rritur. Ndërsa 1 miliardë ose 20% e parave të turistëve që kanë shpenzuar në Shqipëri kanë shkuar për bujqësinë dhe 750 milionë të tjera në transport”, theksoi ministri.

Sipas tij, këto të ardhura kanë qenë të shpërndara në çdo sektor, por nuk ka një balancë shpërndarje të tillë nga ana gjeografike.

“P.sh vijoi ai, Himara i ka pasur të ardhurat e veta për frymë 71 mijë lekë për banor, më të larta se Tirana dhe Vlora. Ndërsa bashkitë si Mati i ka pasur 5 mijë lekë të ardhurat për frymë apo Fushë- Arrëzi 4 mijë lekë për frymë, 5 herë më pak se Himara. Puka 4 mijë lekë për frymë 6 herë më pak Himara”.

Mazniku shpjegoi se, zhvillimi i turizmit ka treguar përmirësim ekonomik të bashkive, teksa theksoi se, “fokusi ynë është shpërndarja e turizmit në territor, jo vetëm në zonat bregdetare por edhe ato malore”.

Ai tha se, me këtë nismë i japim zgjidhje problemit të pronës, aplikimit për një leje zhvillimore në turizëm dhe mundësi poseduesve të mirëfilltë të tokës për ta zhvilluar pronën e tyre në funksion të turizmit që rrit të ardhurat ekonomike.

Në këtë kontekst, tha ai, kjo nismë i përgjigjet edhe dëshirës së emigrantëve që duan të investojnë në tokat e tyre dhe të kenë mundësinë të zhvillojnë turizmin në zonat malore të vendit. /j.p/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›