E Hënë, 2 Nëntor 2026

Blegtoria, interes i lartë për subvencionet, mbi 3200 fermerë kanë aplikuar në skemat mbështetëse

Blegtoria po shndërrohet në një nga sektorët më të suksesshëm dhe rentabël në qarkun e Shkodrës. Specialistë të fushës theksojnë se skemat subvencioneve qe funksionojnë prej disa vitesh kanë ndikuar dukshëm në rritjen e numrit të krerëve të bagëtive dhe në krijimin e fermave të mëdha në këtë zonë.

“Shumë fermerë blegtor janë joshur nga subvencionet. Tani i marrin çdo vit. Janë ndërgjegjësuar që duhen krerë të matrikuluara, dokumentacione të tjera, sigurime të paguara. Po shtojnë numrin e krerëve, po bëhen ferma më të mëdha”, tha Sherif Brahaj, specialist AREB Shkodër.

Një ndër masat shtesë ne skemën e subvencioneve të qeverisë për këtë  vit është  mbështetja për blegtorët që rrisin viça për majmëri. Kjo masë ka nxitur interes, duke rritur numrin e blegtorëve nga qarku i Shkodrës që kanë aplikuar deri tani për të përfituar nga subvencionet.

Ndërkohë që kanë mbetur gati tri javë nga  mbyllja e procesit të aplikimit në skemat e subvencionve për bujqësinë dhe blegtorinë, deri më tani, mbi 3200 fermerë nga qarku i Shkodrës kanë realizuar aplikimet e tyre, shumica e të cilëve kanë treguar interes të veçantë për skemën mbështetëse të naftës.

Gazetar: A.Hoti

/rtsh.al/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›