E Enjte, 5 Nëntor 2026

Blendi Shkëmbi: Titulli kampion me Ballkanin? Kam besim

Blendi Shkëmbi është gati për të vazhduar aventurën e tij të re, atë të trajnerit të Ballkanit në Superligën e Kosovës. Për trajnerin shqiptar kjo është eksperienca e dytë në këtë kampionat, kujtojmë që më parë ka drejtuar dhe Lirinë. Në një lidhje direkte me “Rubrika Sportive” në Radio Tirana, Shkëmbi ka deklaruar ka deklaruar: “Kisha kohë që isha në bisedime me drejtuesit e Ballkanit, më në fund arritëm një marrëveshje. Mendoj se e njoh mirë këtë skuadër dhe kampionatin e Kosovës në përgjithësi. Ekipi ka lojtarë me cilësi, të cilët mendoj se më përshtaten dhe mua me mënyrën se si e shikoj futbollin”.

Një mision i vështirë për titullin kampion përballë rivalëve si Drita, Gjilani e Prishtina, por trajneri i ri i Ballkanit beson. “Është e vështirë. Të dalësh kampion asnjëherë nuk është e thjeshtë, por unë kam besim te futbollistët, kam besim te puna e bërë deri tani. Klubi dhe ish-trajneri kanë bërë një punë shumë të mirë. Kam besim se mund të dalim kampion, i kemi të gjitha mundësitë”.

Më parë te Liria, tani te Ballkani: “Janë dy situate të ndryshme. Tani kam pak më shumë eksperiencë. Të vazhdojmë si duhet këtë rrugë që klubi ka nisur në këto dy vitet e fundit. Këtu ka lojtarë më shumë, më me eksperiencë. Në krahasim me periudhën e parë, futbolli është rritur, është bërë më profesionist. Besoj se të gjitha këto janë një ndihmë më shumë për mua, që ta kemë më të thjeshtë”, ka përfunduar Shkëmbi  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›