Blerim Gjoci abuzoi me “Kthimin”

Regjisorja Blerta Zeqiri, të premten në një konferencë për media, ka thënë se në materialet promovuese të festivaleve jashtë vendit, Blerim Gjoci, filmin “Kthimi” e paraqet si film të vetin. Sipas Zeqirit, me këto veprime mashtruese, Gjoci e paraqet veten si regjisor dhe autor të filmit “Kthimi”. Ajo shton se kjo shihet edhe në disa artikuj italianë, ku Blerim Gjocit i referohen si regjisor i filmit “Kthimi”.
“E kam thirrur këtë konferencë për media për t’i bërë me dije organizatorëve të festivalit Nine Eleven dhe profesionistëve të filmit se Blerim Gjoci drejtor i festivalit “Nine Eleven” po abuzon me autorësinë e filmit Kthimi. Kjo ka filluar kur ai e paraqet veten si autor i filmit Kthimi në festivale, këtu e kemi Blerim Gjocin, i cili në festivalin e filmit Telljurajd që mbahet në Karlifoni, e paraqet veten si autor i filmit”, ka thënë Zeqiri
Për më tepër, Zeqiri ka thënë se Blerim Gjoci ka qenë producent i filmit, por ai as që e ka kryer punën e producentit në film, dhe nuk është interesuar për punë që është zhvilluar gjatë realizimit të filmit.
“Duhet me cek që producent, Blerim Gjoci në fakt kur e shikon si duhet, ai nuk e ka kryer punën e producentit në këtë film. Për arsye se ai e ka pasur punën e producentit ekzekutiv në këtë film më shumë sesa punën e producentit real, sepse që të jesh producent në një film do të thotë që të jesh person që të involvohesh kreativisht në prodhimin e filmit”, ka thënë ajo.
Ajo ka shtuar se Blerim Gjoci e keqpërdor festivalin “Nine Eleven” për përfitime personale.
“Të gjitha filmat që prodhohen në Nine Eleven, ai i detyron filmbërësit që ta shënojnë atë si producent në filmat që prodhohen aty, pa marrë parasysh që ai nuk e bënë punën e producentit realisht në filma. Do të thotë në çdo film që përjashtohet prej festivalit Nine Eleven, ai e shfrytëzon pozitën e tij si drejtor i festivalit, që t’i shënohet emri si producent i filmit”, tha Zeqiri.
Regjisorja Blerta Zeqiri nuk ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen ta padis Blerim Gjocin, për dëmet që i ka shkaktuar dhe për shkak të abuzimit me filmin “Kthimi”, ku regjisore është vetë Blerta Zeqiri./kosovapress/