Blinken nis turneun më të fundit në Lindjen e Mesme ndërsa tensionet rriten për luftën në Gaza

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken do të udhëtojë në Izrael këtë javë, si pjesë e misionit të tij të gjashtë urgjent në Lindjen e Mesme që nga fillimi i luftës së izraelitëve me Hamasin në tetor, pasi marrëdhëniet midis dy vendeve janë përkeqësuar në mënyrë dramatike javët e fundit.
Vizita vjen mes një morie thirrjesh dhe vizitash të planifikuara ndërmjet zyrtarëve amerikanë dhe izraelitë dhe transmetimeve publike të mosmarrëveshjeve të rënda mbi gjendjen e konfliktit.
Departamenti i Shtetit tha se ndalesa në Izrael do të mbyllte turneun e fundit të Blinken në Lindjen e Mesme që filloi në Arabinë Saudite të mërkurën dhe do të vazhdojë në Egjipt të enjten. Diplomati i lartë amerikan do të jetë në Tel Aviv të premten pas bisedimeve me liderët arabë dhe ministrat e jashtëm në Jeddah dhe Kajro, të fokusuara në luftën në Gaza.
“Në Izrael, Sekretari Blinken do të diskutojë me udhëheqjen e qeverisë së Izraelit negociatat në vazhdim për të siguruar lirimin e të gjithë pengjeve”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller. “Ai do të diskutojë nevojën për të garantuar humbjen e Hamasit, përfshirë në Rafah, në një mënyrë që mbron popullsinë civile, nuk pengon dhënien e ndihmës humanitare dhe avancon sigurinë e përgjithshme të Izraelit.”
Ndërkohë banorët e qytetit të Gazës në veri thanë se luftimet rreth spitalit Al Shifa ishin më intensivet prej disa muajsh. Izraeli tha se kishte vrarë 90 persona të armatosur. Hamasi mohoi të kishte pasur luftëtarë të pranishëm në spital dhe tha se të vrarët ishin civilë.
Ditët e fundit luftimet në pjesët veriore të Gazës janë intensifikuar.
Misioni i Blinken vjen në një kohë tensionesh në marrëdhëniet mes administratës së Presidentit, Joe Biden dhe qeverisë së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.
Kryeministri izraelit Netanjahu hodhi poshtë të martën thirrjen e presidentit Biden për të anuluar planet për një sulm tokësor në Rafah, qyteti në skajin jugor të Gazës, ku strehohet më shumë se gjysma e 2.3 milionë banorëve të enklavës.
Netanjahu u tha ligjvënësve se ia kishte bërë “shumë të qartë” Bidenit në një telefonatë “se ne jemi të vendosur të çojmë deri në fund eliminimin e batalioneve në Rafah dhe kjo nuk mund të realizohet përveçse duke hyrë në terren”.
Izraeli thotë se Rafah është baza e fundit madhore e luftëtarëve të armatosur nga Hamasi. Uashingtoni thotë se një sulm tokësor atje do të ishte “i gabuar” dhe do të shkaktonte pasoja të rënda mes civilëve.
Në Rafah strehohen më shumë se një milion banorë të Gazës që u urdhëruan nga forcat izraelite të shkojnë atje në fillim të luftës. Izraeli thotë se ka një plan për t’i evakuuar ata por nuk është e qartë se ku. AP