Blinken telefonon Aleksandër Vuçiçin, diskutohet për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka bërë të ditur se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, ku kanë kanë diskutuar për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.
Sipas një njoftimi të Qeverisë serbe, Vuçiç ka biseduar me Blinkenin për “situatën në Kosovë e Metohi, rrugën evropiane të Serbisë dhe raportet dypalëshe midis Serbisë dhe SHBA-së”.
“Zyrtarët shkëmbyen mendime lidhur me dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, teksa presidenti Vuçiç veçanërisht theksoi se paqja dhe stabiliteti në të gjithë rajonin dhe e ardhmja e sigurt ekonomike janë synime kyçe për të gjithë ata që jetojnë në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftim.
Biseda midis Vuçiçit dhe Blinkenit vjen një ditë para se Parlamenti serb, përmes një seance të posaçme, të diskutojë për Kosovën.
Në këtë seancë pritet që deputetëve serbë t’iu prezantohet një raport për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, në këtë raport nuk pritet të përfshihet plani evropian apo i njohur edhe si plani franko-gjerman.
/rtsh.al/