Bllokim i përkohshëm në autostradën Durrës–Tiranë, ARRSH njofton devijimin e trafikut më 6 dhe 7 gusht

Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka njoftuar se më 6 dhe 7 gusht do të ketë bllokim të përkohshëm të qarkullimit në një segment të autostradës Durrës–Tiranë, për shkak të punimeve në kuadër të projektit “Zgjerimi i Superstradës Tiranë–Durrës (Faza III)”.
Sipas njoftimit, punimet do të zhvillohen nga ora 00:00 deri në 04:30, kur do të kryhet montimi i trarëve metalikë të mbikalimit të ri të Kasharit.
Për të garantuar zhvillimin e sigurt të punimeve dhe sigurinë rrugore, ARRSH bën me dije se do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Durrës–Tiranë.
Gjatë këtij intervali, automjetet që udhëtojnë nga Durrësi drejt Tiranës, Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohen nëpër rampat e autostradës Thumanë–Kashar. Mjetet me destinacion aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar–Thumanë, ndërsa automjetet që kanë si destinacion Tiranën do të orientohen përmes sinjalistikës së përkohshme në rrugën dytësore, për t’u rikthyer më pas në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të planifikojnë lëvizjet e tyre dhe të respektojnë sinjalistikën e përkohshme, ndërsa kërkon mirëkuptimin e qytetarëve, bizneseve dhe banorëve të zonës për shqetësimet e përkohshme të shkaktuara nga punimet.
Njoftimi i plotë:
Në vijim të realizimit të punimeve për ndërtimin e objektit: “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, është i nevojshëm zbatimi i Planit të Menaxhimit të Trafikut. Më datë 6 dhe 7 gusht 2026, nga ora 00:00 deri në 04:30, do të kryhet montimi i trarëve metalik të mbikalimit të ri të Kasharit, për zbatimin e këtyre punimeve, si dhe për sigurinë rrugore është i nevojshëm bllokimi i dy korsive të aksit kryesor në drejtimin Durrës-Tiranë.
Gjatë këtij intervali, trafiku që lëviz nga Durrësi në drejtim të Tiranës, Aeroportit “Nënë Tereza” dhe Kosovës do të devijohet në rampat e autostradës Thumanë-Kashar.
Mjetet me destinacion Aeroportin dhe Kosovën do të vijojnë lëvizjen në autostradën Kashar-Thumanë, ndërsa automjetet me destinacion Tiranën do të orientohen me sinjalistikën e përkohshme në rrugën dytësore duke u rikthyer në autostradën Durrës–Tiranë pas mbikalimit të Kasharit. Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve, bizneseve dhe banorëve të zonës për këtë ndërhyrje.
/rtsh.al/