Premtonin rikthimin e parave të humbura, Prokuroria e Tiranës mbyll hetimet, dërgon në gjyq 3 persona

Prokuroria e Tiranës ka dërguar për gjykim tre persona, pasi akuzohen se mashtronin shtetas të huaj duke u premtuar rikuperimin e parave të humbura përmes skemave të njohura si “Recovery Call Center”.
Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria dërgoi në gjyq shtetasit K.S., F.K. dhe E.A., të akuzuar për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik” dhe “Moskallëzim i krimit”.
Hetimet erdhën pas informacioneve të siguruara në rrugë operative se në një ambient në rrugën “Zalli”, në Selitë, ushtrohej aktivitet i paligjshëm i një “call center”. Gjatë kontrollit, autoritetet gjetën të dyshuarit dhe punonjës të tjerë në poste pune të organizuara si zyra. Sipas Prokurorisë, nga hetimet rezultoi se K.S. dhe F.K. ishin personat që rekrutonin punonjësit dhe u shpjegonin mënyrën e funksionimit të skemës mashtruese. Punonjësit kontaktonin shtetas të huaj, të cilët më parë kishin humbur para në investime apo platforma të ndryshme online, duke i bindur se mund t’i ndihmonin t’i rikuperonin ato.
Agjentët mblidhnin informacione për mënyrën se si viktimat kishin humbur paratë, kompanitë me të cilat kishin bashkëpunuar dhe situatën e tyre financiare. Më pas, klientëve u caktohej një takim me të ashtuquajturit “ekspertë”, ndërsa komunikimi i mëtejshëm zhvillohej nga K.S. dhe F.K.
Në përfundim të hetimeve, Prokuroria dërgoi për gjykim K.S. dhe F.K. për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, ndërsa E.A. për veprën penale “Moskallëzim i krimit”.
/rtsh.al/