E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokimi i juglindjes, kamionët e tonazhit të rëndë do të kalojnë nga rruga e Arbrit

Pas situatës së krijuar gjatë ditëve të fundit në juglindje, Autoriteti rrugor Shqiptar është detyruar të përcaktojë itinerarin e qarkullimit të të gjitha llojeve të automjeteve.

Pas bllokimit total të segmentit rrugor në zonën e “Arrat e Gurrës”, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec, ARRSH ka përcaktuar si itinerar për mjetet e tonazhit të rëndë:  Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës, Dibër – Rruga e Arbërit – Tiranë.

Kjo ka bërë që në pikën doganore të Bllatës të ketë një fluks të lartë të lëvizjes gjatë kësaj të hëne, ndonëse kapacitetet e kësaj pike doganore janë të vogla.

Dhjetra automjete me ngarkesa të mëdha do të kalojnë nga rruga e Arbrit, e cila ditët e fundit ka shfaqur probleme me shembjen e skarpatave apo të çarjes së trasesë.

Drejtuesit e mjeteve thonë se me këtë ngarkesë, edhe rruga e Arbrit mund të ketë të njëjtin fat si ajo Librazhd – Pogradec.

Problemet në rrugën e Arbrit janë konstatuar në fshatin Plan i Bardhë të Bashkisë Klos, segmentin e Njësisë Xibër deri tek tuneli i Murrizit si dhe në fshatin Maricë të Tiranës ku ka dëmtim të skarpatës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›