Gjykata Kushtetuese rrëzon PS: Ndryshimet në rregulloren e Kuvendit, të paligjshme

Gjykata Kushtetuese me unanimitet ka pranuar kërkesën e Partisë Demokratike dhe ka shpallur të paligjshme ndryshimet në rregulloren e kuvendit të miratuara në shtatorin e vitit të kaluar.
Këto ndryshime në rregullore kanë të bëjnë me shtimin e komisioneve, nga 8 që ka pasur parlamenti në 11 komisione, dhe sipas gjykatës procedura që ka ndjekur parlamenti në këtë rast është në shkelje të Kushtetutës.
“Gjykata vlerësoi se duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 5 për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.”
Kushtetuesja urdhëroi parlamentin të korrigjojë gabimin dhe të miratojë rritjen e numrit të komisioneve me procedurë të rregullt.
“Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizmit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi.”
Ndryshimi i rregullores së kuvendit ishte vendimi i parë i mazhorancës socialiste në nisje të legjislaturës së re. Rregullorja u ndryshua në dy mbledhje të parlamentit, të cilat u zhvilluan brenda të njëjtës ditë dhe numri i komisioneve të përhershme u rrit nga 8 në 11.
Por PD iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke vënë në dukje se një ligj edhe kur futet me procedurë të përshpejtuar nuk mund të miratohet pa kaluar 7 ditë.
Sipas PD miratimi brenda një kohe kaq të shkurtër i ndryshimeve në rregullore, cenon të drejtën e deputetëve të opozitës për tu njohur me ndryshimet si dhe për të propozuar amendamente./vizionplus.tv