Bllokimi i kufirit, “Vetëvendosje”: Policia na dhunoi

Lëvizja “Vetvendosje” e cilësoi të dhunshme ndërhyrjen e policisë së Kosovës për të shpërndarë protestën paqësore, siç thonë ata.
“Protesta nuk ka eskaluar, por është sulmuar dhe shtypur nga ndërhyrja e dhunshme e policisë. Qeveria ka shfrytëzuar policinë për të shkaktuar dhunë ndaj protestuesve paqësorë, duke e bërë Kosovën shtet policor. Nga mëngjesi policia ka provuar ta parandalojë protestën. Rruga prej Besianës për në Merdar është bllokuar para mesditës. Asnjë automjet nuk është lejuar që të kalojë dhe, madje, as kalimtarët, pra as udhëtarët që kanë ecur këmbë”, thuhet më tej në komunikatën e Vetëvendosjes.
Ndërkohë dje qindra aktivistë të Lëvizjes “Vetëvendosje” ndërmorën një aksion për të ndaluar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë përkatësisht në dy pikat kufitare, Merdare dhe Dheu i Bardhë. Protesta e tyre nisi nën moton “Sot, Serbia nuk kalon”, por u shpërnda në orët e mbrëmjes pas ndërhyrjes së policisë së Kosovës. Shkopinj gome, e gaz lotsjellës është përdorur për të shpërndarë turmat e protestuesve, ndërsa raportohet për rreth 150 persona të arrestuar.
Sipas lëvizjes “Vetëvendosje” në mesin e protestuesve ka edhe të plagosur. Sipas tyre mes të dhunuarit nga nga policia, është edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca. Të lënduar janë edhe aktivistët Hysen Kaqiku, Besfort Morina Alban Jupolli, Burim Hoqa,Valdrin Ahmeti. Raportohet se plagë të lehta ka marrë edhe vetë lideri i Vetvendosjes, Albin Kurti. Policia e Kosovës ka deklaruar dje se gjatë kësaj proteste janë plagosur 13 policë. Protestës së Vetvendosjes iu bashkuan edhe shumë mbështetës nga Shqipëria, të cilë u bllokuan në kufi, e më pas u detyruan të kalojnë në këmbë për në Kosovë.