E Diel, 1 Nëntor 2026

Bllokohet makina luksoze në Lezhë, nis hetimi pasuror për pronarin

TIRANË, 10 shtator /ATSH/ Policia e Lezhës ka kryer kontrolle ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin dhe verifikimin e mjeteve që dyshohet se mund të jenë përfituar nga veprimtaritë kriminale, si dhe parandalimin e trafikimit të tyre.

Policia njoftoi se në kuadër të këtyre kontrolleve, strukturat për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe të Policisë Rrugore, kanë kryer kontrollin e një automjeti luksoz që kanë konstatuar në qytetin e Lezhës.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare janë kryer verifikime lidhur origjinën, historikun e blerjes, shitjes dhe posedimit të automjetit, mbi pronësinë dhe burimin e të ardhurave me të cilat është blerë automjeti.

Në përfundim të verifikimeve, sipas policisë është kryer bllokimi administrativ i automjetit “Rolls-Royce” për mungesë dokumentacioni dhe ka nisur hetimi pasuror për pronarin e automjetit, shtetasin F. M., banues në Mbretërinë e Bashkuar.

Policia e Lezhës do të vijojë kontrollet e përbashkëta dhe verifikimet ndaj automjeteve luksoze, me qëllim evidentimin e pasurive me burim kriminal dhe goditjen e pastrimit të produkteve të veprimtarive kriminale.

/m.q/a.f/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›