Blushi: PS-ja të mendojë për zgjedhjet e ardhshme

Rruga e vetme e zgjidhjes, sipas Blushit, është fitorja e PS-së në zgjedhjet lokale
TIRANË- Përfaqësuesi i Lëvizjes së Mendimit Ndryshe dhe njëkohësisht deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi deklaroi dje në Kongresin Jashtëzakonshëm të kësaj force politike, se opozita nuk duhet të mendojë tashmë për hapjen e kutive të zgjedhjeve të kaluara, por duhet të hartojë si objektiv fitoren e zgjedhjeve të ardhshme lokale.
Sipas tij, zgjedhjet e vitit të ardhshëm janë një mundësi për Partinë Socialiste, që t'i fitojë ato për të bërë të mundur zgjedhjet e parakohshme. Blushi vuri në dukje se "hapja" e kutive mund të ndodhë vetëm nëpërmjet rrugës politike, ku vetë populli të ushtrojë vullnetin e tij politik duke votuar dhe viti i ardhshëm, sipas tij, është një mundësi për ta kryer këtë.
"Unë besoj se kutitë nuk hapen me rrugë proçeduriale në një shtet që procedurën e përdor vetëm për të mbrojtur Sali Berishën nga korrupsioni, por kutitë mund të hapen vetëm me rrugë politike: populli mund të fusë duart ne kuti vetëm duke votuar. Para nesh janë zgjedhjet lokale. Është një mundësi e madhe për t'i dëshmuar të gjithëve se në 28 Qershor ne ishim shumicë në Shqipëri.
Ky Kongres duhet të fillojë të mendojë për zgjedhjet, që po afrojnë sepse fitorja e zgjedhjeve lokale do të na çojë në zgjedhje të parakohshme. Unë jam kundër të gjithë atyre që e vënë në diskutim pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale",- tha dje Blushi. Ai theksoi gjithashtu se rruga për tek kutitë e votimit kalon nëpërmjet zgjedhjeve lokale.
Sipas Blushit, një objektiv i tillë mund të arrihet nëse PS-ja është e bashkuar si parti dhe jo e përçarë si dhe duke ruajtur profilin e majtë politik. Blushi specifikoi se rezultatet produktive arrihen përmes rrugëve institucionale parlamentare dhe jo bojkotit. "Jam i bindur se rruga për tek kutitë kalon nga zgjedhjet dhe vetëm nga zgjedhjet.
Rruga për tek fitorja kalon nga zgjedhjet lokale",- tha ai. Përfaqësuesi i LMN-së nënvizoi se arsyet e humbjes së opozitës në zgjedhjet e 28 qershorit nuk janë të gjitha tek çështja e kutive të votimit, por tek mënyra e organizimit dhe funksionimit të Partisë Socialiste.
Për këtë arsye, sipas Blushit, kutitë mund të jenë dëshmi për krimin elektoral të shumicës në pushtet, por mungesa e një programi të qartë për zgjidhjen e çështjeve të ndryshme të shtresave në nevojë dhe funksionimit tërësor të PS-së janë probleme, që sipas tij, duhet të zgjidhen nga vetë opozita.