Zgjedhja e kryesisë, rriten kompetencat e Asamblesë

Drafti i ndryshimeve në statut pësoi dje në Kongres një sërë ndryshimesh rrënjësore
TIRANË- Partia Socialiste do të organizojë veprimtarinë e saj mbi rregulla të reja. Kongresi i kësaj force, si organi më i lartë vendimmarrës ka miratuar ndryshimet në Statutin e partisë duke sanksionuar kështu në mënyrë përfundimtare kalimin nga organizimi i partisë në bazë qarku në atë në bazë rrethi, por duke përcaktuar në të njëjtën kohë dhe një sërë mekanizmash të tjera që normojnë zgjedhjen e strukturave partiake që nga qendra deri në bazë.
Propozimet
Drafti i ndryshimeve në statut i hartuar nga grupi i punës dhe i miratuar dy javë më parë nga Asambleja Kombëtare ka pësuar dje në Kongres një sërë ndryshimesh rrënjësore, të cilat kanë ardhur si propozime nga delegatët gjatë shqyrtimit paraprak që ata i kanë bërë gjatë këtyre ditëve kësaj pakete.
Të mbledhura dhe përpunuara së fundmi nga grupi i punës, këto propozime janë paraqitur dje në Kongres nga sekretari organizativ Blendi Klosi në formën e një pakete të re amendimesh që i bëheshin draft-statutit.
Klosi ka bërë të ditur se në total kanë qenë rreth 70 propozime, por ku shumica e tyre janë vlerësuar si të papranueshme nga grupi i punës që punoi për këto ndryshime për disa muaj me radhë.
Megjithatë, duket se thelbi i këtyre amendimeve të propozuara rishtazi nga delegatët është marrë parasysh dje edhe nga Kongresi, i cili i ka miratuar ato sëbashku me draft-statutin e grupit të punës. Bie në sy disa ndryshime tepër të rëndësishme në rolin e Asamblesë Kombëtare sidomos në zgjedhjen e sekretariatit dhe kryesisë së partisë.
Tani ndryshe nga sa parashikohej më parë AK nuk kufizohet në kandidaturat shtesë që mund të paraqesë për anëtarë të kryesisë (Në draftin e grupit ajo nuk mund të paraqiste më shumë se ½ e listës së paraqitur nga kryetari).
Një ndryshim i ngjashëm është bërë edhe për zgjedhjen e sekretariatit, ku sërish AK mund të propozojë kandidatura alternative për çdo pozicion. Dy ndryshime këto që kufizojnë deri diku rolin dhe kompetencat e kryetarit të Partisë. Një tjetër ndryshim i miratuar dje nga Kongresi ka qenë edhe ai që përcakton mënyrën e propozimit dhe përzgjedhjes së kandidatëve për kryetar të PS-së së Rrethit.
Tani kandidaturat për kryetarë të PS-së në rrethe propozohen nga asambletë e bashkive dhe të komunave dhe nga lista e kandidatëve të propozuar, kryesia e PSSH-së miraton kandidaturat për kryetar që i paraqitet pastaj për votim mbledhjes së zgjeruar të Asamblesë.
Ndryshimet
Përveç ndryshimeve të ardhura nga delegatët, Kongresi i djeshëm ka miratuar edhe draft-statutin e propozuara nga grupi i punës dhe i pasuruar me propozime shtesë nga Asambleja Kombëtare. Kështu, ndryshimet e miratuara tashmë në statut në thelb përbëjnë një ndërhyrje rrënjësore në strukturat lokale të partisë, por pa lënë pas as përcaktimin e disa parimeve të përgjithshme që e afrojnë këtë forcë me partitë e tjera të internacionales dhe PSE-së.
Që në krye të këtij dokumenti tashmë sanksionohet një term i ri përkufizues, ku PS-ja konsiderohet si një "parti e majtë demokratike, që ka në themel të veprimtarisë së saj parimin e lirisë, drejtësisë sociale, barazisë së shanseve të barabarta dhe solidaritetin njerëzor".
Më tej, në statutin e ri evidentohet se PS-ja është një parti elektorale dhe funksionale dhe ku harmonizohet demokracia direkte (pra parimi një anëtar një votë), me demokracinë përfaqësuese. Po tek kapitulli i parimeve të përgjithshme bëhet një ndërhyrje tjetër, me qëllim disiplinimin e sjelljes së anëtarëve të partisë, duke theksuar se "pas votimit të vendimit, zbatohet vullneti i shumicës".
Për sa i përket disiplinimit të sjelljes së anëtarëve të partisë, në statut është përfshirë se çdo anëtar "përjashtohet kur merr pjesë në manifestime që bien ndesh me qëndrimin politik të partisë". Ndryshimet më rrënjësore janë ato që përfshijnë organizimin e partisë lokale.
Me këto ndryshime, socialistët i rikthehen sërish skemës së vjetër të organizimit, ku rivendoset zgjedhja e drejtuesve nëpërmjet përfaqësuesve të anëtarësisë, ndërsa rikrijohet si një strukturë tepër e rëndësishme edhe Partia Socialiste e Rrethit. Kështu Asambleja Socialiste e bashkisë dhe komunës, si dhe ajo e rrethit do të zgjedhin kryetarin e tyre respektiv, duke hequr dorë nga parimi "Një anëtar një votë", i përdorur deri më tani nga kjo forcë politike.
Kryetari i PS-së së komunës, bashkisë ose rrethit zgjidhet me votim të fshehtë dhe kandidatura alternative, ndërsa kandidaturat paraprakisht duhet të marrin edhe pëlqimin e kryesisë së PS-së.
Ndërkohë që mandati i tyre përcaktohet 4 vjet ata mund të largohen nga kjo detyrë në rastet kur partia humbet në zgjedhje ose merr një numër më të pakët votash se sa janë zgjedhjet pararendëse. Kryetari i PS-së së rrethit është gjithashtu automatikisht dhe anëtar i Asamblesë Kombëtare të PS-së.