Blushi kërkon informacion për përdorimin e forcës gjatë protestës

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, i është drejtuar sot me një kërkesë për informacion Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hita, lidhur me përdorimin e forcës ndaj protestuesve gjatë protestës së sotme para Kuvendit.
Në kërkesën e tij, Blushi ngre shqetësimin lidhur me mënyrën e ushtrimit të kompetencave nga Policia e Shtetit gjatë protestës.
Sipas tij, “pamjet e transmetuara gjerësisht në media dhe dëshmitë e shumta të qytetarëve pasqyrojnë skena të një dhune krejtësisht të pajustifikuar ndaj protestuesve paqësorë”.
“Ndaj kërkoj që brenda afateve ligjore të më vihet në dispozicion informacioni mbi planin operacional të Policisë së Shtetit për garantimin e mbarëvajtjes së protestës së 23 korrikut dhe drejtuesin përgjegjës të operacionit. Kush dha urdhrin për përdorimin e forcës fizike ndaj protestuesve dhe mbi çfarë vlerësimi operacional u mbështet ky vendim?”, shpreht ndër të tjera Blushi.
Po ashtu, Blushi kërkon informacion mbi numrin e punonjësve të policisë që morën pjesë në operacion dhe strukturat e angazhuara, si dhe numrin e qytetarëve të shoqëruar, ndaluar ose arrestuar gjatë dhe pas protestës dhe bazën ligjore të ndalimit.
Blushi kërkoi specifikisht informacion mbi “llojin dhe emërtimin e secilit agjent kimik të përdorur dhe bazën ligjore dhe procedurale mbi të cilën është autorizuar përdorimi i tyre”.
“A është urdhëruar nisja e një hetimi administrativ për verifikimin e ligjshmërisë së veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit dhe, nëse po, cili organ po e zhvillon atë?”, pyet ai.
Në kërkesën drejtuar institucioneve, Blushi kërkon të bëhet e ditur nëse “janë sekuestruar dhe ruajtur të gjitha pamjet filmike të kamerave trupore, kamerave operative dhe sistemeve të monitorimit të përdorura gjatë operacionit dhe a do të bëhen ato pjesë e një verifikimi të pavarur institucional?”.
“Ngjarjet e sotme nuk mund të relativizohen dhe as të mbulohen me heshtje institucionale. Përdorimi i forcës nga Policia e Shtetit ndaj qytetarëve që ushtrojnë të drejtën kushtetuese të protestës kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi individuale dhe institucionale, si dhe një hetim të menjëhershëm e të paanshëm mbi çdo akt të mundshëm të tejkalimit të kompetencave apo përdorimit arbitrar të forcës”, u shpreh Blushi.
Ai kërkoi që të merren menjëherë të gjitha masat për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje, identifikimin e zinxhirit komandues që urdhëroi dhe drejtoi ndërhyrjen policore, evidentimin e çdo shkeljeje të ligjit dhe vënien përpara përgjegjësisë administrative, disiplinore dhe penale të çdo punonjësi apo drejtuesi të Policisë së Shtetit që ka tejkaluar kompetencat e tij.
/m.m/a.f/